Turisti francez me prejardhje hebraike: Më ofenduan, u sulmova bashkë me djalin tim 6-vjeçar
Një turist francez me prejardhje hebraike ka bërë publik një video në internet ku denoncon se është sulmuar së bashku me djalin e tij 6-vjeçar në një kafene pranë një pompe karburanti, pak kilometra larg Milanos.
Në video dëgjohen dhe shihen disa qytetarë italianë që i drejtohen me zë të lartë babës dhe birit, të cilët mbanin kapelën tradicionale hebraike, kippah, duke thirrur mesazhe si “Liri për Palestinën, jeni vrasës”. Në fund të videos, turisti dëgjohet duke thirrur “Rroftë Izraeli”.
Sipas deklaratës që dha për agjencinë italiane të lajmeve Ansa, incidenti nisi kur ai hyri në kafene me djalin për ta shoqëruar në tualet.
Pak çaste më vonë, një burrë i ri pranë kasës filloi të bërtiste ‘Palestinë’ në anglisht, duke ndezur tensionin.
Kur turisti u kthye nga tualeti, gjeti rreth 20 persona të mbledhur që i kërkuan të fshinte videon që kishte filmuar më parë.
“U përpoqa të mbrohesha, por në një moment rrëzova dhe ata shfrytëzuan rastin për të më sulmuar si kafshë. Madje më thyen edhe syzet,” rrëfeu ai.
Gazeta milaneze Corriere della Sera raporton se policia ka sekuestruar materialin filmik nga kamerat e sigurisë të pompës së karburantit, ndërsa prokuroria lokale është angazhuar për hetimin e këtij rasti.
Ngjarja tronditi komunitetin lokal dhe rikthen në vëmendje tensionet e vazhdueshme për konfliktet politike dhe fetare në rajon. Syri.net-Protothema