Merz: Gjermania nuk po e shqyrton në këto momente njohjen e Palestinës, por më vonë...

Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se Berlini nuk e ka në plan për momentin të njohë zyrtarisht një shtet palestinez.

Ky nuk është hapi i parë, por ndoshta një nga hapat e fundit në rrugën drejt një zgjidhjeje me dy shtete,” tha Merz pas mbledhjes së Këshillit Federal të Sigurisë.

Kancelari shtoi se masat që do të merren nga qeveria gjermane do të jenë gjithmonë të përshtatura me zhvillimet aktuale.

Në të njëjtën mbledhje u vendos që Gjermania të marrë pjesë në një urë të re ajrore të ndihmave humanitare për Rripin e Gazës, në bashkëpunim me Jordaninë.

Merz i bëri thirrje qeverisë izraelite të ndërmarrë më shumë veprime për të përmirësuar situatën që ai e cilësoi ‘katastrofike’ për popullatën civile në Gaza.

Megjithatë, ai nënvizoi se ‘Gjermania qëndron në krah të Izraelit’. I pyetur nga gazetarët, kancelari u shpreh kundër zgjerimit të vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor dhe kërkoi ndalimin e dëbimeve nga Rripi i Gazës.

Sipas të përjavshmes gjermane Der Spiegel, ushtria gjermane pritet të jetë e gatshme për t’u përfshirë në operacionin ajror të ndihmave deri në fund të javës.

Gjermania kishte marrë pjesë në një mision të ngjashëm edhe në mars të vitit 2024, gjithashtu nën drejtimin e Jordanisë. Syri.net-CNN.gr