EMRI/ Plagosja me thikë pranë zemrës në Vlorë, pas sherrit për një qethje
Një 25-vjeçar, i identifikuar si M. Shaka, është plagosur me thikë ditën e sotme në Vlorë. I riu ka mbërritur në spital i qëlluar me thikë pranë zemrës.
Po ashtu mësohet se aktualisht ai gjendet në sallë, ku po i nënshtrohet kontrolleve përkatëse. Mjekët kanë bërë të ditur se ai ka mbërritur në gjendje koshiente në spital.
Efektivët e policisë po kontrollojnë biznesin në Vlorë tek zona e njohur si Aleksandria, pjesë e lagjes Pavarësia të qytetit.
Sipas burimeve të policisë së Vlorës bëhet me dije se ka patur një konflikt në një berberhane në Vlorë, pas konfliktit me fjalë mes një klienti dhe kursantit në këtë berberhane.
Pas fjalëve, klienti ka qenë ai që ka goditur me thikë kursantin në orarin e tij të punës dhe është larguar. Konflikti mund të ketë qenë i mbartur edhe nga ditë më parë, por këtë herë autori ka ardhur i pajisur me thikë për të kryer plagosjen.
Ndërkohë Policia ka identifikuar autorin, shtetasin Shkëmbor Skënderaj dhe po vijon punën për arrestimin e tij.
Vlorë/ Informacion paraprak
Sot, rreth orës 19:00, në lagjen ‘Isa Boletini’, në një berberhanë, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi Sh. S., 24 vjeç, ka plagosur me mjet prerës (thikë) shtetasin M. Sh., 25 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Vijon puna për kapjen e autorit të dyshuar, i cili është shpallur në kërkim menjëherë pas ngjarjes.
Grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje.