Raporti i OKB: Krizat globale nxisin urinë në Afrikë, Azi dhe Lindjen e Mesme

Kriza të shumta globale po përkeqësojnë ndjeshëm urinë në Afrikë, Azi dhe Lindjen e Mesme, paralajmëruan këtë javë pesë agjenci të Kombeve të Bashkuara përmes raportit vjetor SOFI mbi gjendjen e sigurisë ushqimore dhe ushqyerjes në botë. Tensionet tregtare, konfliktet e armatosura dhe ndryshimet klimatike po shkaktojnë një rritje dramatike të inflacionit ushqimor dhe po shtyjnë miliona njerëz drejt urisë së thellë.

Sipas raportit, mbi 307 milionë njerëz në Afrikë përballen aktualisht me uri, që përbën më shumë se 20% të popullsisë së kontinentit. Ndërkohë, në Lindjen e Mesme, 12.7% e popullsisë – më shumë se 39 milionë persona – kanë qenë të ekspozuar ndaj mungesës së rëndë të ushqimit gjatë vitit 2024.

“Situata është mjaft alarmante, veçanërisht në Afrikë dhe në Lindjen e Mesme”, tha Álvaro Lario, president i IFAD-it, agjencisë së OKB-së për zhvillim rural. Ai theksoi se krizat janë të lidhura ngushtë me konflikte të përgjakshme, tronditje ekonomike dhe sfida klimatike, duke ndikuar drejtpërdrejt në kapacitetin e vendeve për të prodhuar dhe shpërndarë ushqim.

Raporti thekson se fermerët e vegjël – të cilët përbëjnë bazën e prodhimit ushqimor në vendet në zhvillim – janë më të prekurit. Ata punojnë më pak se dy hektarë tokë dhe sigurojnë deri në 70% të ushqimit në Afrikë, por jetojnë nën nivelin e varfërisë ekstreme dhe përfaqësojnë 80% të të varfërve globalisht. Megjithatë, ndihma ndërkombëtare për ta është minimale: më pak se 1% e fondeve për klimën shkon për këta fermerë.

Në raport evidentohet gjithashtu rreziku në rritje për migracion ekonomik masiv, ndërsa miliona njerëz detyrohen të largohen nga zonat rurale ku jetesa është bërë e pamundur. “Kur njerëzit nuk kanë më mundësi për të jetuar me dinjitet aty ku janë, ata janë të detyruar të emigrojnë”, tha Lario.

Ndërkohë, konflikte të ashpra si ato në Gaza, Sudan, Jemen dhe Haiti kanë përkeqësuar situatën. Sipas klasifikimit të IPC-së, më shumë se 35 milionë njerëz janë në “gjendje të jashtëzakonshme” për shkak të mungesës së ushqimit, ndërsa gati 2 milionë kanë hyrë në fazën “katastrofë”. Rasti më i rëndë është në Rripin e Gazës, ku 100% e popullsisë vuan nga pasiguria akute ushqimore – mbi 1.1 milionë njerëz.

IFAD bën thirrje për rritje të ndjeshme të investimeve në bujqësinë vendase dhe në fermerët e vegjël, duke argumentuar se vetë-mjaftueshmëria është e mundur. Afrika, e cila aktualisht importon 70-80 miliardë euro ushqime në vit, ka potencial për të prodhuar vetë dhe për të hapur miliona vende pune për të rinjtë.

“Është momenti për veprime konkrete dhe investime afatgjata në zinxhirin ushqimor lokal, për të ndalur rritjen e urisë dhe për të shmangur një katastrofë të re humanitare në shkallë globale”, përfundon raporti.