Macron dhe Zelensky: Lufta kundër korrupsionit, thelb për demokracinë dhe integrimin evropian të Ukrainës
Presidenti francez Emmanuel Macron dhe homologu i tij ukrainas Volodymyr Zelensky riafirmuan rëndësinë e luftës kundër korrupsionit përmes institucioneve të pavarura dhe funksionale, gjatë një bisede telefonike të zhvilluar këtë mëngjes.
Lajmin e bëri të ditur Macron përmes një postimi në platformën X.
Biseda vjen në një moment kur presidenti ukrainas ndodhet në qendër të kritikave për një ligj të miratuar së fundmi, i cili sipas kritikëve rrezikonte të minonte pavarësinë e dy agjencive kundër korrupsionit, duke i vendosur nën varësinë e Prokurorit të Përgjithshëm.
Ligji u firmos menjëherë pas miratimit të tij nga parlamenti të martën, por pas reagimeve të forta nga Perëndimi dhe organizatat ndërkombëtare, Zelensky njoftoi të enjten se do të paraqesë një projektligj të ri për të rivendosur pavarësinë e këtyre strukturave.
“Ndajmë të njëjtin qëndrim se ajo që e veçon sot Ukrainën nga Rusia është fakti që, edhe në kohë lufte, mbetet një demokraci gjallë dhe e vendosur të ndjekë rrugën evropiane,” shkroi Macron. “Në këtë kuadër, lufta kundër korrupsionit përmes institucioneve të pavarura dhe efektive është thelbësore.”
Macron shtoi se Franca do të vazhdojë mbështetjen për Kievin dhe do të intensifikojë presionin ndaj Moskës që të pranojë një armëpushim, i cili do të hapte rrugën për negociata për një paqe të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse me pjesëmarrjen e vendeve evropiane.
Reagim për ligjin në fjalë pati edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila deklaroi po ashtu në X se “Ukraina duhet të mbrojë institucionet e saj të pavarura kundër korrupsionit, pasi ato përbëjnë një shtyllë të rendit demokratik”. Ajo theksoi se BE do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën në rrugën e saj drejt integrimit evropian.
Brukseli përshëndeti nismën e re të presidentit ukrainas për të ruajtur pavarësinë e institucioneve antikorrupsion, duke e cilësuar atë një hap pozitiv në përputhje me pritshmëritë e Bashkimit Evropian.