SYRI TV/ SPAK mbyll hetimet për dosjen e Ilir Metës, iu komunikohen akuzat personave nën hetim
Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për dosjen Meta-Kryemadhi. Këtë të hënë në SPAK janë thirrur personat të cilët janë marrë të pandehur për t’i komunikuar mbylljen e hetimeve dhe dërgimin e dosjes për në gjykatë. Në SPAK këtë të hënë është paraqitur ish-kreu i AKEP, Pirro Xhixho dhe Ema Çoku, ndërkohë që Fatimes dhe Monika Kryemadhit mbyllja e hetimeve do t’i komunikohet të martën.
Prokuroria e Posaçme ka mbyllur akuzat për dosjen e ish-presidentit të Republikës, Ilir Meta. Disa javë pasi iu komunikuan akuzat, SPAK ka thirrur një nga një personat të cilët janë marrë nën akuzë për t’i komunikuar mbylljen e hetimeve. Ditën e sotme janë paraqitur në organin e akuzës ish-kreu i AKEP, Pirro Xhixho, i cili akuzohet për ‘Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë’ dhe Ema Çoku. Ndërkohë për Fatime Kryemadhin, për shkak të mungesës së avokatit të saj, është vendosur që të paraqitet nesër në orën 13:00, në të njëjtën orë me Monika Kryemadhin. Ndërkohë, deri më tani Ilir Meta nuk është njoftuar për mbylljen e hetimeve. Avokati Kujtim Cakrani ka konfirmuar se ai deri më tani nuk ka marrë asnjë njoftim për t’u paraqitur për mbylljen e hetimeve.
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, u arrestua më 21 tetor 2024. Ai akuzohet nga SPAK për ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, dhe ‘Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë’. Ndërkohë, Monika Kryemadhi akuzohet për ‘Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë’ në dy (2) raste dhe në bashkëpunim, ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ e kryer në bashkëpunim, dhe ‘Refuzimi për deklarim, të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim’.