SYRI TV/ Digjet një apartament në Pogradec, ndërron jetë 52-vjeçarja, hetimet zbardhin detaje tronditëse
Një grua 52-vjeçare u gjet e pajetë në apartamentin e saj në Pogradec, i cili u dogj mëngjesin e të hënës. Fillimisht u dyshua se Kozeta Teço kishte ndërruar jetë nga asfiksia, por hetimet paraprake zbuluan se ajo ishte vrarë. Në trupin e viktimës u gjetën shenja dhune, ndërsa pas hetimeve të para hetimore u shoqërua si autor i dyshuar i riu Ilirjan Selmani, i cili dyshohet se ka pasur një lidhje intime me viktimën. Para gazetarëve, Selmani u shpreh se nuk ka lidhje me vrasjen, ndërsa hetimet vijojnë.
Një ngjarje e rëndë kriminale dyshohet se ndodhi në Lagjen Nr.1 të Pogradecit, ku një 52-vjeçare u gjet e pajetë në apartamentin e saj, i cili u shkrumbua nga zjarri. Viktima është shtetasja Kozeta Teço. Fillimisht ngjarja u raportua si zjarr në banesë, ku për pasojë të tymit ishte asfiksuar 52-vjeçarja.
Por pas hetimeve paraprake dhe këqyrjes së trupit, rezultoi se Kozeta Teço kishte shenja dhune në trup. Kjo bëri që hetuesit të dyshonin për ngjarje kriminale. Nga veprimet e shpejta hetimore dhe këqyrja e kamerave të sigurisë, hetuesit arritën të zbulonin se në banesën e 52-vjeçares kishte qenë shtetasi Ilirjan Selmani, i cili dyshohet se kishte lidhje intime me viktimën. Ky shtetas u ndalua nga policia teksa i pyetur nga gazetarët nëse e kishte vrarë Kozeta Teçon, i riu e mohoi një gjë të tillë.
Megjithatë, hetuesit e shoqëruan të riun në banesën e viktimës, ndërsa ai dyshohet se ka treguar detaje mbi praninë e tij në banesë.
Më herët, Sotiraq Teço, kushëri i viktimës, foli për mediat teksa tregoi se nuk kishte dijeni që vajza e xhaxhait të tij të kishte konflikte, ndërsa tha se ajo jetonte vetëm. Ai u shpreh se ngjarjen e mësoi nga mediat, ndërsa kërkon zbardhjen e saj nga autoritetet.
Një fqinj i viktimës sqaroi gjithashtu se Kozeta Teço jetonte vetëm në apartament, ndërsa një natë më parë e kishte vizituar motra, e cila jeton në Tiranë.
Tashmë pritet të zbardhet e plotë ngjarja e rëndë që tronditi Pogradecin, mëngjesin e kësaj të hëne.