ECDC ngre alarmin: Mbi 5 milionë qytetarë në Evropë jetojnë me hepatit B ose C pa e ditur

Autoritetet shëndetësore evropiane u kanë bërë thirrje vendeve anëtare të përmirësojnë ndjeshëm testimin, vaksinimin dhe aksesin në trajtim për hepatitin viral, për të shmangur pasoja të rënda shëndetësore dhe mijëra humbje jete.

Sipas një raporti të publikuar nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), rreth 5 milionë njerëz në BE, Islandë, Lihtenshtajn dhe Norvegji jetojnë me hepatit kronik B ose C, por shumica e tyre nuk janë as të diagnostikuar dhe as të trajtuar.

Hepatiti B dhe C, të cilët shpesh quhen “infeksione të heshtura”, mund të qëndrojnë për vite në trup pa simptoma, ndërkohë që dëmtojnë ngadalë mëlçinë dhe çojnë drejt sëmundjeve të rënda si fibroza, cirroza apo kanceri i mëlçisë.

Raporti thekson se hepatiti B prek rreth 3.2 milionë njerëz dhe hepatiti C rreth 1.8 milionë në rajon, ndërsa vdekjet e lidhura me këto infeksione arrijnë në 50,000 në vit.

“Duhet të nënvizojmë rëndësinë kritike të shtimit të përpjekjeve për të parandaluar dhe kontrolluar hepatitin viral”, deklaroi Dr. Marieke van der Werf nga ECDC, duke shtuar se vaksinimi, testimi dhe trajtimi i hershëm janë thelbësorë për një Evropë më të shëndetshme.

Të dhënat tregojnë se mbi 65% e të prekurve nga hepatiti B dhe 62% e atyre me hepatit C nuk janë të diagnostikuar. Ndërkohë, hepatiti C është i shërueshëm me një trajtim të shkurtër dhe efektiv, ndërsa hepatiti B kërkon trajtim afatgjatë për menaxhimin e virusit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron se hepatiti kronik viral shkakton 1.3 milion vdekje çdo vit në rang global, nivel i krahasueshëm me tuberkulozin. Sipas saj, 2.8 milion nga këto vdekje mund të parandalohen deri në vitin 2030, nëse vendet integrojnë shqyrtimin dhe trajtimin e hepatitit në kujdesin shëndetësor bazë, sidomos për grupet vulnerabël.