U plagos rëndë gjatë operacioneve/ Ina Zhupa viziton komisarin e lënduar në Delvinë: Hero që meriton vlerësim nga shteti
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, zhvilloi një vizitë në spitalin QSUT për të takuar nga afër komisar Agim Trocin, i cili u lëndua rëndë gjatë përpjekjeve për të shpëtuar një fëmijë nga zjarret e mëdha në zonën e Delvinës.
E shoqëruar nga drejtori i spitalit Florenc Spaho dhe stafi mjekësor, Zhupa shprehu mirënjohjen e saj për guximin dhe sakrificën e komisarit, duke theksuar se veprimet e tilla heroike duhet të shpërblehen jo vetëm me fjalë falënderimi, por edhe me vlerësime konkrete nga shteti, si në aspektin profesional ashtu edhe atë material. Nëpërmjet një statusi në FB, ajo e cilësoi komisarin si një shembull frymëzimi për të gjithë shoqërinë.
Postimi i plotë në FB:
Vizitova sot në spital, ku është i shtruar prej disa ditësh, Komisar Agim Trocin, një hero i gatshëm për çdo sakrificë, që ka mirënjohjen e gjithë shoqërisë.
Komisar Troci, mund të kishte zgjedhur zyrën si shef, po zgjodhi terrenin dhe u fut pa menduar dy herë për të shpëtuar një fëmijë 10 vjecar nga flakët e zjarreve të tmerrshme që prej ditëve kanë zaptuar Delvinën.
Nga biseda me stafin mjekësor tregojnë për një guxim të komisarit dhe gjatë trajtimit mjekësor që e ka ndihmuar në procesin e rikuperimit.
Shembulli i tij i sakrificës dhe kurajos është një frymëzim për të gjithë ne.
Shoqëria ka nevojë për të vlerësuar figura të tilla që i bëjnë nder me aktet e tyre fisnike.
Të gjithë shprehim falenderime ndërsa shteti duhet ta nderoj me akte konkrete në vlerësimin e tij profesional dhe material.
Shërim të shpejtë komisar Troci!