Agjenda woke, çfarë katastrofe që po prodhon në kulturën, politikën dhe mentalitetin shqiptar!
Ka më shumë se një vit që në mënyrë të veçantë e të konkretizuar, jam munduar të analizoj e faktoj dëmet e mëdha që zbatimi i ideologjisë woke, në shumë fusha të jetës si në edukim, media, kulturë, përtej se politikë dhe ekonomi, ka arritur t'i shkaktojë shoqërisë shqiptare. Kam gjetur dhe bërë publike shumë paralele të saj me po të njëjtën lëvizje dhe ideologji woke që Sorosi dhe të majtët ekstremist amerikanë kanë shpënë përpara për vite të tëra në këtë vend. Ishte pikërisht kulmimi i efekteve të shumta negative që kjo agjendë u solli qytetarëve amerikanë, me te gjitha devijimet e saj të rrezikshme në kurriz të fjalës së lirë, të lirisë fetare, shoqërore, ekonomike dhe sigurisë kombëtare nga vala e paimagjinueshme e emigrantëve të gjithfarë lloji, ajo që e mbushi kupën e durimit dhe që me një alternativë të fortë konservatore përballë, bazuar në gjykimin e shëndoshë, arriti të sjellë fitore shkallmuese të paparë për dekada ndaj neoliberalizmit radikal.
Një gjë e tillë solli një lëvizje "tektonike" në politikën amerikane që po konkretizon Trump nëpërmjet një serie dekretesh dhe iniciativash federale, që shumëkush më mediat tona private as i kupton, as u jep peshën e duhur ose i anashkalon si jo të rëndësishme. Përkundrazi, dekreti i parë që ai nënshkroi, duhet kujtuar edhe njëherë, sepse kishte simbolikë dhe domethënie të jashtëzakonshme: ka vetëm dy gjini, burrë dhe grua. Që në sekondën e parë të pushtetit të tij Trump kish bërë realitet aspiratën dhe të vërtetën e madhe të lëvizjes Maga, luftën e pashembullt ndaj çdo gjëje të keqe, të rrezikshme, të pavërtetë e të manipuluar që lëvizja ëoke kish rrënjosur në kohën e sundimit të demokratëve dhe kudo në Evropë me agjendën e saj globaliste. Ishte pikërisht kjo shtrirje e saj në shumë institucione ndërkombëtare, të cilat e përligjin si ideologji të vërtetë me qëllimin e lig për ta diktuar si ideologji dominante, ajo shkalla e dytë e aksionit që Trump ndërmori menjëherë pas këtij hapi: largimi nga traktatet dhe organizatat botërore që e mbështesin dhe e zbatojnë ideologjinë woke, si p.sh traktatet për ndryshimet klimatike, agjenda e energjisë së gjelbër, organizatat e shëndetësisë botërore që udhëhoqën regjimin pandemik, e së fundi edhe nga UNESCO, pikërisht për shkak se edhe në kulturë zbaton dhe kërkon të vendosë dominimin e praktikave të kësaj ideologjie.
Në po këtë drejtim, që në fjalimin e parë të rëndësishëm në Evropë, J.D. Vance i bëri një thirrje të hapur elitave evropiane për ta gjetur armikun e vet më të madh brenda vetes, në përhapjen në çdo ind të këtij virusi ideologjie që po ia shkatërron themelet e krishtera, duke e bërë të normalshme cenimin e lirisë fetare, duke ia minuar themelin e fjalës së lirë, nëpërmjet praktikave të cenimit të fjalës së lirë si pasojë e akuzave për haters apo bullizues, e së fundmi duke ua degraduar demokracinë, nëpërmjet anashkalimit dhe mos- dëgjimit të zërit të popullit.
Shumëkush prej shtypit shqiptar dhe analistëve të ndryshëm, duke cituar njëanshmërisht vetëm media të majta ose radikale, i kanë quajtur të çuditshme, atipike, duke e etiketuar si " bully" qasjen Trumpiste, mirëpo në SHBA dhe brenda lëvizjes Maga dhe miliona amerikanëve që e votuan, kjo ishte më minimalja që ai duhej të bënte, ishte lutja e tyre e gjatë e bërë realitet, si pasojë e realitetit që ata kanë përjetuar e po përjetojnë në degradimin e mjaft elementëve të lirisë dhe jetës shoqërore që kjo lëvizje u ka sjellë. Shembulli i Amerikës është prova më e mirë se çfarë urrejtje dhe ndarje të papajtueshme socialë mund të sjellë kjo ideologji, ndaj imagjinojeni se çfarë katastrofe mund të prodhojë në kulturën dhe mentalitetin shqiptar. Nuk kanë të bëjnë fare efektet e saj me konservatorizmin proverbial shqiptar, përkundrazi, ajo që ndikon rrënjësisht është radikaliteti i saj që vishet me petkun e neoliberalizmit, por që në thelb është një aksion shkatërrimtar në shumë fusha.
Jo më kot e bëra këtë hyrje të gjatë të një lëvizje anti- woke për të cilën ka nevojë urgjente Shqipëria. Brenda një jave, elementë të saj nga më avangardët edhe në teori, i janë shtruar për zgjidhje si risi të mëdha shoqërisë sonë. Me regjinë e wokistit më të avancuar të Evropës dhe botës, globslistit që është hapa para edhe në mes globalistëve më të mëdhenj në ndjekjen vasale të kësaj ideologjie, Edi Rama, pionierit të eksperimentit më të rrezikshëm dhe të dëmshëm wokist që i jep urdhër padroni Soros e që ai i ofron vendin e vet si epruvetë laboratori për të bërë prova, Shqipërisë së vogël, të varfër e të shpopulluar për dreq, i janë bërë tre goditje të tmerrshme wokiste, ashtu si pa u ndjerë e kuptuar. Tek e fundit kjo është praktika e neveritshme që Rama përdor. Filloi së pari me idenë e zbatimit në vendin më te prapambetur të Evropës, për ekonomi dhe zbatim ligji, të idesë së një vendi cashless, pa para fizike, një ëndërr kjo e bukur wokiste edhe për ekonomitë më sociale dhe më të zhvilluara të botës.
E me çudinë më të madhe se sa thellë kanë hyrë rrënjët wokiste në Shqipëri, edhe në fushën e legjislacionit, shohim të na serviret një ide e çuditshme për një ligj të ri, sipas të cilit të dënuarit me burgim të përjetshëm mund të kenë mundësinë të lirohen, sepse sipas teoricienëve wokistë, njerëzit nëpër burgje ndryshojnë, përmirësohen korrigjohen. Në pamje të parë të duket një qëllim i njerëzishëm, por që në thelb të kujton lirinë dhe indiferentizmin e qëllimshëm të prokurorëve dhe gjykatësve të mbështetur dhe lobuar nga Soros, në sistemin amerikan të drejtësisë, që me qasjen e butë dhe toleruese ndaj vrasësve dhe kriminelëve, e bënë Amerikën të pajetueshme dhe të pasigurte nga krimi në mjaft zona dhe vulnerabël ndaj përhapjes masive të përdorimit të drogave, sidomos mes të rinjve. E sikur të mos mjaftonte kjo bëmë, një tjetër ide akoma dhe më e avancuar wokiste vjen nga bashkia e Tiranës. Që Erion Veliaj ka qenë një kampion i zbatimit dhe qasjes wokiste në çdo veprimtari të tij, është diçka që ngjarjet dhe problematikat e tij me drejtësinë e kanë errësuar dhe mbuluar shumë. Megjithatë, babi i tij wokist, Edi Rama, që de facto e ka në drejtim këtë bashki, nuk harroi të ndërfuste si praktikë të saj, diçka që edhe bashkitë më wokiste të Europës nuk guxojnë ta bëjnë. Po përse vallë bëhet gjithmonë ky vend një laborator ku kjo ideologji duhet të provojë çdo gjë të mbrapshtë e të pistë që u pjell mendja padronëve? A e keni bërë ndonjëherë ketë pyetje?
Në planin social- strategjik të Bashkisë Tiranë për vitet 2025-2027 propozohen rritje kapacitetesh për të ndihmuar fëmijët lgbtq; dhe ajo që është më e paturpshmja është justifikimi se kjo përligjet shkencërisht. Ka shumë pika të errëta në këtë propozim, që i bashkohen ideve të çuditshme që përmendëm më parë, që regjisori Rama, me filmin e Shqipërisë përparimtare woke, kërkon tua servirë në gostinë e kompromiseve dhe mbështetjeve, fijeve të veta të padronit wokist. Po përse vallë gjithë ky zell i pashpjegueshëm për ti bërë edhe fëmijët tanë kurban të kësaj ideologjie të mbrapshtë? Mos për mbështetje tanimë që uji i gamiles së tij po shteron? Mundet, por në ketë pikë ku ka arritur kurbanëzimi i tij për përfitimet e mbajtjes së pushtetit, nuk mund të durojmë dot më. Fëmijët tanë dhe orientimin e tyre lëri mënjanë nga gjithë fëlliqësia jote politike, Edi Rama.
Është prindi ai që ka të drejtë të vendosë për mënyrën e edukimit të fëmijëve të vet, shteti jo e jo, por as shkolla pa lejen e tyre. Ne jemi popull tolerant, në fe e në besim, ndaj shtresave të caktuara ashtu dhe ndaj njerëzve me orientim të caktuar. Nuk është aq e rrezikshëm, e nevojshme dhe as prioritare mbrojtja e tyre përpara mbrojtjes së fëmijëve nga varfëria, nga plagët sociale dhe ato të edukimit. Mos na e përlyej shoqërinë me pallavrat wokiste, që në vend se duan ti mbrojnë këto shtresa, më tepër duan të nxjerrin përfitime e privilegje në emër të mbrojtjes së tyre. Është praktike e njohur kjo që një lëvizje e thellë dhe e gjithanshme anti- woke duhet tia çjerri maskën sa më parë. Larg duart nga fëmijët tanë, ata janë e ardhmja dhe nuk duhet t'u vendosim në gjirin e rritjes, këtë morb të keq vrastar siç është wokizmi. Kupa u mbush, nuk mban më. Nuk pranojmë të jemi më vemje laboratorike të wokistëve globalistë, për tekat e dehjet e tyre antinjerëzore dhe antishqiptare. Ka ardhur koha e duhur që edhe opozita ta dëgjojë zërin e njerëzve që nuk i durojnë më këto mballoma wokiste mbi trupin plot plagë të Shqipërisë. Ajo duhet ti ndalojë me të gjitha fuqitë që ka këto ligje e direktiva, dhe të mos lejojë më të përhapet asnjë zgjatim i saj. Këtu është në lojë jeta e fëmijëve tanë, e ardhmja jonë, por dhe e tashmja jonë ekzistenciale. Ndaj, me përgjegjësinë e një misioni historik për shpëtimin e Shqipërisë i bëjmë thirrje ta vendosë luftën kundër ideologjisë wokiste në çdo fushë ku ajo është shpërhapur sot,si betejën më të madhe politike ku ajo ka marrë pjesë, sepse e kësaj përmase është rëndësia që ka ndalimi dhe më pas shkulja prej rrënjëve e gjithë të mbjellave të saj gjatë gjithë dekadës së sundimit të këtij regjimi.