Vdekja e 52-vjeçares/ Për të kamufluar vrasjen, autori i dyshuar ndezi disa vatra zjarri në banesë për të humbur gjurmët

Teksa Policia vuri në pranga autorin e dyshuar të vrasjes së 52-vjeçares, Kozeta Teço, të tjera detaje kanë dalë në dritë pas zjarrit që nxori zbuluar autorin, Ilirjan Selmani.

Burime bëjnë me dije se autori i dyshuar i ngjarjes ka ndezur disa vatra zjarri në banesë për të humbur gjurmët. Në trupin e viktimës janë konstatuar shenja mbytje dhe dëmtime me mjet prerës.

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, policia ka gjetur peshqirë dhe kartpeceta me gjak në koshin e mbeturinave afër pallatit ku jetonte viktima, të cilat dyshohet se janë përdorur nga autori për të zhdukur provat dhe për të pastruar vendin e ngjarjes.

Lidhur me dinamikën, dyshohet se autori fillimisht ka vrarë 52-vjeçaren, më pas ka fshirë gjakun duke pastruar vendin e krimit dhe në fund i ka vënë zjarrin ambienteve të shtëpisë. Këqyrja e kamerave të sigurisë të bizneseve përballë pallatit ku ndodhi krimi, e kanë ndihmuar policinë të identifikojë dhe të shoqërojë Ilirjan Selmanin.

Për të dokumentuar dyshimet ndaj të riut nga Pogradeci, i cili mendohet se ka pasur një lidhje intime me viktimën, policia e ka shoqëruar nga komisariati drejt banesës ku ndodhi krimi për të kryer eksperimentin hetimor.

Autori i dyshuar i ngjarjes, pas daljes nga banesa, ka mohuar ta ketë kryer ai krimin. Ndërkohë, policia po vijon hetimin për të zbardhur motivin që shtyu të riun nga Pogradeci të vriste partneren e tij.

Pogradec/Informacion shtesë

Në vijim të informacionit të dhënë për zjarrin e rënë në lagjen nr. 1, në banesën e shtetases K. T., e cila humbi jetën, bëjmë me dije se:

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë ngriti një grup të posaçëm hetimor, i cili në drejtimin e  Prokurorisë, ka kryer një sërë veprimesh hetimore, përfshirë dhe veprime eksperimentale, për të zbardhur dhe dokumentuar rrethanat e rënies së zjarrit dhe për të përcaktuar shkakun e humbjes së jetës së shtetases K. T., 52 vjeçe.  

Nga tërësia e veprimeve të kryera deri tani dyshohet se zjarri në banesën e 52-vjeçares është shkaktuar nga një shtetas.      

Bazuar në provat e siguruara, shërbimet operacionale të DVP Korçë kanë shoqëruar disa shtetas, në ambientet e Komisariatit të Policisë Pogradec, ndërmjet tyre edhe autorin e dyshuar të kësaj ngjarjeje. 

Veprimet hetimore vijojnë dhe në përfundim do të japim informacion të plotë në lidhje me këtë ngjarje.