I mungojnë pesë gishta, historia e jashtëzakonshme e një kampioneje që thyen çdo kufi

Francesca Jones është një emër që po përmendet gjithnjë e më shumë në botën e tenisit, jo vetëm për sukseset e saj në fushë, por edhe për rrugëtimin e saj të jashtëzakonshëm drejt majave të këtij sporti. Në moshën 24-vjeçare, tenistja britanike ka hyrë për herë të parë në top-100 të renditjes botërore, pas dy titujve të fituar në vetëm tri javë. Fitorja më e fundit erdhi dje në Palermo, ku triumfoi ndaj Anouk Koevermans me rezultatin 6-3, 6-2 në finalen e turneut.

Ajo që e bën historinë e Jones vërtet unike është se, sipas mjekëve, ajo nuk do të duhej të kishte luajtur kurrë tenis. E lindur me një sindromë të rrallë gjenetike – EEC syndrome (ectrodaktili-displazi ektodermike-labiopalatoskizë) – Francesca ka vetëm 8 gishta në duar dhe 7 në këmbë. Kjo e ka detyruar të kalojë përmes dhjetëra operacioneve që në fëmijëri, për të bërë të mundur që të qëndronte në këmbë, e jo më të vraponte në fushën e tenisit.

Pavarësisht kësaj, që në moshën 9-vjeçare ajo la familjen në West Yorkshire dhe shkoi në Barcelonë për t’u stërvitur në akademinë prestigjioze Sánchez-Casal, e bindur për të ndjekur ëndrrën e saj. “Kur më thanë se nuk mund të luaja kurrë tenis, mendova se ishte koha t’i tregoja botës të kundërtën”, kujton ajo.

Rruga nuk ka qenë e lehtë: Jones ka pasur nevojë për raketë të përshtatur, trajtime të vazhdueshme për gjendjen e saj posturale, si dhe ushtrime të specializuara për të përballuar sfidat fizike. Megjithatë, ajo nuk është ndalur. Në vitin 2021, hyri për herë të parë në shortin kryesor të një Grand Slami në Australian Open. Më 13 korrik 2025 fitoi turneun WTA 125 në Contrexéville, ndërsa tani ka fituar edhe në Palermo, duke arritur vendin e 84-t në botë.

Por për Francesca Jones, ky është vetëm fillimi. “Dua të ndryshoj perceptimin që njerëzit kanë për sportin. Trupi im nuk është ndërtuar për të qenë atletik, por kjo nuk do të thotë se nuk mund të jem një atlete. Dua të lë gjurmë, të arrij lart dhe të frymëzoj këdo që ka një ëndërr, në sport apo në jetë.”

Francesca është më shumë se një sportiste: është simboli i guximit dhe vendosmërisë që sfidon çdo kufi.