Guardiola mbyll kapitullin ‘Barça’: Ishte e bukur, por ka përfunduar përgjithmonë
Pas një sezoni të vështirë në krye të Manchester City-t, Pep Guardiola është gati të nisë një fazë të re me skuadrën angleze, duke e forcuar atë me ambicie të reja për sezonin e ardhshëm të Premier League, që nis më 18 gusht me sfidën ndaj Wolverhampton-it.
Si çdo verë, emri i teknikut katalanas është lidhur sërish me Barcelonën, klubin e zemrës dhe vendin ku shkroi historinë nga viti 2008 deri në 2012. Por këtë herë, Guardiola ka vendosur të jetë përfundimtar në qëndrimin e tij: “Barcelona? Ka përfunduar. Përgjithmonë. Ishte shumë e bukur, por ka marrë fund,” deklaroi ai pa lënë vend për interpretime, duke mbyllur një herë e mirë derën për një rikthim të mundshëm në "Camp Nou".
Ky qëndrim i prerë konfirmon vendosmërinë e Guardiolës për të mos u kapur pas së kaluarës së lavdishme me Barçën, por për të vazhduar rrugën në Angli, aty ku ka ndërtuar një tjetër projekt fitues me City-n.
Në horizontin e teknikut katalanas nuk ka më kthim në shtëpi, por gjithnjë e më tepër përflitet për një aventurë me një Kombëtare në të ardhmen. Për momentin, fokusi i tij mbetet i palëkundur: të udhëheqë “qytetarët” drejt majave të futbollit europian sërish.