Max Verstappen nuk largohet nga Red Bull-i: Spekulimet për Mercedes-in shuhen përfundimisht
Zërat për një kalim të mundshëm të Max Verstappen te Mercedes u ndezën kur kunati i tij, Nelson Piquet Jr., la të kuptohej në një podcast se kampioni katër herë i Botës do të vishte ngjyrat e rivalëve sezonin tjetër. Por gjithçka tregon se kjo nuk do të ndodhë.
Verstappen, i cili ka një kontratë të vlefshme me Red Bull-in deri në vitin 2028, nuk do të lëvizë nga skuadra ku u rrit dhe u bë një nga pilotët më dominues të dekadës së fundit. Madje edhe drejtuesi i Mercedesit, Toto Wolff, i ka vënë kapak spekulimeve duke deklaruar se skuadra do të vazhdojë me George Russell dhe Kimi Antonelli për sezonin e ardhshëm.
Sipas shtypit holandez, Verstappen nuk mund të aktivizojë klauzolën e daljes nga kontrata, e cila varet nga pozicioni i tij në renditjen e përgjithshme përpara pushimit veror. Duke qenë se Max është aktualisht në vendin e tretë dhe nuk mund të bjerë më poshtë, ai nuk përmbush kushtet për ta përdorur atë klauzolë.
Në Çmimin e Madh të Belgjikës, Verstappen fitoi garën Sprint dhe u rendit i katërti në garën e së dielës, duke mbledhur 20 pikë që i sigurojnë vendin e tretë në klasifikim me 185 pikë. Ndërkohë, Oscar Piastri i McLaren kryeson me 266 pikë, 16 më shumë se shoku i skuadrës Lando Norris, çka e bën të vështirë për Max të fitojë titullin e pestë radhazi.
Përveç kësaj, ai është i kënaqur me ndryshimet në skuadër pas largimit të Christian Horner. Marrëdhënia e mirë me shefin e ri, Laurent Mekies, shihet si një tjetër faktor që e mban holandezin të lidhur me Red Bull-in.
Gjithashtu, Verstappen ka theksuar rëndësinë e këtij sezoni për përgatitjen drejt vitit 2026, kur ndryshimet teknike dhe rregullatore do të ndryshojnë ndjeshëm Formula 1. Ai ka konfirmuar se synon të mësojë sa më shumë nga ky vit për të ndërtuar një makinë konkurruese për të ardhmen.
Përfundimisht, pavarësisht ofertës “joshëse” nga Mercedes, Verstappen duket i vendosur të vazhdojë rrugëtimin me Red Bull. Spektakli do të vazhdojë në Hungari, por jo me një "bombë" merkatoje.