Sportistja ukrainase refuzon podiumin me kolegen ruse në Botërorin e skermës
Në Kampionatin Botëror të Skermës, që po zhvillohet në Tbilisi të Gjeorgjisë, sportistja ukrainase Alina Komashchuk ka refuzuar të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të ndarjes së medaljeve, duke protestuar kundër pranisë së atleteve ruse në garë.
Komashchuk fitoi medaljen e bronztë në garën individuale, por vendosi të mos ngjitej në podium për të mos pozuar pranë rusës Yana Egorian, e cila u shpall kampione bote. Në skermë, ndryshe nga shumë disiplina të tjera, u jepen dy medalje të bronzta gjysmëfinalistëve, përveç Komashchuk, edhe Pan Qimiao e Kinës e fitoi këtë vend.
Vendimi i sportistes ukrainase lë një imazh të pazakontë në ceremoninë zyrtare, ku podiumi rezultoi i paplotë për shkak të bojkotit të saj. Ky veprim vjen në vazhdën e kundërshtimeve të shumta që Ukraina ka shprehur për rikthimin e sportistëve rusë dhe bjellorusë në kompeticionet ndërkombëtare, edhe pse këta marrin pjesë nën flamur neutral.
Protesta jashtë pallatit të sporteve në Tbilisi
Përveç gjestit të Komashchuk, dita e finales u shoqërua me protesta masive jashtë Pallatit Olimpik të Sporteve në Tbilisi. Dhjetëra qytetarë dogjën një flamur rus dhe mbajtën pankarta të ashpra kundër pjesëmarrjes së Rusisë në event:
- "Ata garojnë në Tbilisi dhe vrasin në Ukrainë";
- "Sporti mbi politikën? Thuajini këtë viktimave të luftës";
- "Sot janë fishekzjarre, nesër raketa Grad".
Akuza për lidhje me ushtrinë ruse
Ndër protestuesit u përmend edhe fakti se disa prej sportistëve rusë pjesëmarrës, përfshirë kampionen Egorian, kanë lidhje të drejtpërdrejta me ushtrinë ruse. Egorian është nënoficere dhe është dekoruar nga Ministria ruse e Mbrojtjes për kontributin në bashkëpunimin ushtarak. Të tjerë emra të përmendur janë edhe Sofia Velikaya (major) dhe Olga Nikitina (nënoficere).
Ky incident e thellon edhe më tej ndarjen e madhe që vazhdon të ekzistojë mes komunitetit sportiv ndërkombëtar për çështjen e pjesëmarrjes së sportistëve nga vendet agresore në arenën ndërkombëtare.