Divorcet në Kosovë: Kur 'derisa vdekja të na ndajë' nuk mjafton më
Divorci, dikur i stigmatizuar dhe i rrallë, sot është kthyer në një realitet të zakonshëm për shumë familje ,jo vetëm si fund i një historie dashurie, por si fillim i një kapitulli të ri
Numri i çifteve që zgjedhin ndarjen po rritet me ritme të shpejt. Rreth 7 çifte në minutë divorcohen në mbarë botën. Ky fenomen shoqëror nuk përjashton as çiftet kosovare. Numri i divorceve në Kosovë është rritur në muajt e parë të vitit 2025. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, nga janari deri në prill janë regjistruar 528 raste shkurorëzimi. Vetëm në prill u raportuan 140 raste, 14 për qind më shumë se në mars (123 raste). Në janar pati 124 raste, ndërsa në shkurt 141. Divorci, dikur i stigmatizuar dhe i rrallë, sot është kthyer në një realitet të zakonshëm për shumë familje – jo vetëm si fund i një historie dashurie, por si fillim i një kapitulli të ri. Psikologja klinike dhe shkollore, Teuta Cacaj, në një intervistë për Albanian Post theksoi se dhimbja e divorcit shkon përtej çiftit dhe ne vete mban pasoja të mëdha.
“Divorci është një nga përvojat më stresuese që mund të përjetojnë si të rriturit, ashtu edhe fëmijët. Ai nuk është vetëm një ndarje ligjore, por edhe shkëputje emocionale, sociale dhe shpesh ekonomike, që lë ndikime afatgjata – por jo domosdoshmërisht të pakthyeshme”, tha ajo.
Sipas Cacaj disa nga arsyet më të zakonshme që po qon çiftet bashkëkohore drejt divorcit janë pritshmëri të ndryshme dhe të paplotësuara, zhvillimi personal i pabarabartë, menaxhimi joefektiv i konfliktit dhe shume arsye te tjera. Por mungesa e komunikimit emocional është rrënja e gjithë problemit aty ku zë vend mërzia. “Komunikimi i dobët ose i mbyllur emocionalisht është një arsye kryesore për prishjen e marrëdhënieve. Kur partnerët nuk ndajnë ndjenjat, frikërat apo dëshirat, krijohet distancë emocionale që mund të rritet me kohën”, u shpreh psikologja. Ne epokën digjitale ku të gjitha gjërat janë të qasshme me shpejtësinë e një klikimi. Distanca emocionale po behet edhe më e madhe.
Mesatarisht, një person kalon rreth 2 orë e 24 minuta në rrjetet sociale çdo ditë. Kjo përfshin kohën e kaluar duke lëvizur nëpër platforma si Facebook, Instagram, TikTok dhe të tjera.
“Partnerët shpesh e gjejnë veten më të fokusuar te telefonat sesa te njëri-tjetri. Ky lloj “distraksioni digjital” dobëson lidhjen emocionale dhe krijon ndjenjën se tjetri nuk është i pranishëm”, tha ajo. Ndërsa sipas psikologut, Imri Zabeli, në Kosovë, rritja e divorceve po vërehet si në mjediset urbane ashtu edhe në ato rurale, pa dallime të theksuara në shkaqet themelore. “Mungesa e komunikimit efektiv, mosmarrëveshjet emocionale dhe mospërputhja e pritshmërive janë faktorë të përbashkët kudo. Gratë në të dyja mjediset përballen me pritshmëri tradicionale dhe rol të kufizuar në vendimmarrje, ndërsa stigma ndaj divorcit, veçanërisht për gratë, mbetet e pranishme në gjithë vendin”, tha ai për Albanian Post duke shtuar se “ndryshimet shoqërore dhe ekspozimi ndaj vlerave moderne, përmes diasporës dhe teknologjisë, kanë ndikuar edhe në zonat rurale, duke sjellë rritje të vetëdijes dhe pritshmërive të reja për barazi dhe mirëqenie në marrëdhënie. Në këtë kontekst, divorci po shihet gjithnjë më shumë si një zgjidhje për marrëdhënie të dështuara, pavarësisht vendbanimit”.
Shprehja “Nuk ka rëndësi çfarë thua, por si e thua”, thekson se mënyra se si komunikohet diçka është më e rëndësishme se vetë fjalët që përdoren, prandaj kujdesi gjatë kësaj periudhe për vetë veten dhe personat përreth është esencial.
“Mungesa e mbështetjes psikologjike dhe prindërimi konfliktual e përkeqësojnë situatën. Menaxhimi emocional përmes këshillimit, komunikimit të ndjeshëm dhe bashkëpunimit prindëror ndihmon në shmangien e traumave afatgjata dhe në ndërtimin e një jete më të qëndrueshme pas ndarjes”, shtoi Zabeli. Në një kohë kur divorci nuk është më tabu, por realitet i zakonshëm, mbetet thelbësore që ndarja të mos përjetohet si dështim, por si mundësi për rimëkëmbje dhe zhvillim personal. Në zemër të kësaj periudhe të ndjeshme qëndron komunikimi – jo vetëm mes ish-partnerëve, por edhe me fëmijët dhe veten. Sepse ndonëse fundi i një marrëdhënieje mund të jetë i dhimbshëm, fillimi i një kapitulli të ri mund të ndërtohet mbi vetëdije, respekt dhe shpresë.