Bllokohet transferimi i Ueah te Marseille, menaxheri shpërthen ndaj Juventusit: Gjithçka e ndalur për hakmarrje

Transferimi i Timothy Weah nga Juventusi te Olympique Marseille është bllokuar dhe sipas agjentit të lojtarit, Badou Sambague, pas këtij ngërçi qëndron një prapaskenë e papranueshme.

Sipas medieve italiane, Marseille ka arritur marrëveshje personale me futbollistin amerikan, por oferta e klubit francez nuk ka bindur drejtuesit bardhezi. Edhe pse kjo është një situatë e zakonshme gjatë merkatos, agjenti Sambague ka akuzuar hapur një përfaqësues të sektorit sportiv të Juventusit se po pengon me qëllim marrëveshjen.

“Juventusi është një klub fantastik, por sektori sportiv është i drejtuar nga tre persona. Dy janë njerëz me klas, tjetri ende nuk e ka gjetur veten. Dy përpiqen të gjejnë zgjidhje, një tjetër krijon probleme dhe këtë nuk mund ta lejojmë,” shkruan Sambague në një deklaratë publike.

Sipas tij, sjellja e këtij individi ka dëmtuar jo vetëm karrierën e lojtarit, por edhe pjesëmarrjen e tij në Botërorin për Klube:

“Tim Weah ka qenë gjithmonë profesional, madje edhe gjatë Botërorit për Klube, ndonëse kjo person e shkatërroi përpjekjen e tij, duke e shtyrë drejt një transferimi te Nottingham Forest. Sot, për hakmarrje, kërkon një shumë absurde dhe një ofertë nga Premier League që nuk do të vijë ose nuk do të pranohet prej nesh.”

Sambague përfundon deklaratën e tij me tone të ashpra:

“Këto janë metoda të vjetruara që nuk i përtyp dot. Por nuk mund të pranoj një mungesë të tillë totale respekti. Një person po dëmton imazhin dhe klasin e Juventusit.”

Për momentin, marrëveshja mbetet pezull, ndërsa e ardhmja e Timothy Weah është gjithnjë e më e paqartë.