Ermal Meta: E ndjeva veten si një dezertor. Falë vajzës sime, kam bërë paqe me rrënjët e mia
Në një intervistë për 'La Repubblica' Ermal Meta ka folur për lidhjen e tij me Shqipërinë dhe për eksperiencën e tij si artist që ka jetuar dhe krijuar jashtë vendit. Ai shprehet se ka kaluar periudha të vështira, ku ka ndjerë se po largohej nga rrënjët e tij dhe po bëhej i huaj, por gjithçka ka ndryshuar pas lindjes së vajzës së tij. Meta thotë se falë saj ka arritur të bëjë paqe me të kaluarën dhe me rrënjët e tij shqiptare, duke e ndjerë tani më të lehtë të pranojë dhe të bëjë paqe me veten.
Për Ermal Metën, kjo është një verë ndryshe nga ajo e një kantautori të zakonshëm. Ka një tur të plotë, me një formulë të veçantë që ndërthur këngë nga repertori dhe këngë të pabotuara, duke i bërë koncertet gjithmonë të ndryshme. Ky tur do të përfundojë më 7 shtator në Teatrin Romak të Veronës. Ka lançuar pak kohë më parë këngën 'Ferma gli orologi' (Ndali orët' dhe është i angazhuar në prezantimet e romanit të tij të dytë 'Le camelie invernali' për të cilin do të flasë më 30 korrik në festivalin 'Youth Argentario në Porto Santo Stefano (GR)'. Një histori fëmijësh të zhdukur, hakmarrje dhe dhunë tribale e vendosur në Shqipërinë e tij, ku përmendet edhe Kodi i lashtë i Kanunit, të cilin e përshkruan si të egër dhe të mbijetuar gjatë shekujve.
A ka bërë paqe me rrënjët e tij?
“Kam një shqetësim të brendshëm që e ndjej gjithmonë, një ndjenjë normale për ata që punojnë kryesisht me veten e tyre. Jam gjithmonë unë që marr forma të ndryshme. Kjo më ndihmon që të rimodelohem sipas tregimit, por gjithmonë duke mbetur i njëjti njeri, besnik ndaj vetvetes. Por kurrë nuk kam qenë në luftë me rrënjët e mia. Kur ndryshon vend, toka e re ndryshon edhe ushqimin. Fillimisht kam pasur nevojë të përshtatem, dhe ndihesha i huaj këtu dhe atje. Je në një gjendje që ngjan me një dezertim të vazhdueshëm. Për të folur një gjuhë të ndryshme, ndryshimi është i shpejtë, por për shpirtin nuk është kështu”.
Pse ka dashur të tregojë një histori të lidhur me Kanunin?
“Sepse besoj se mund ta njohësh një popull edhe në gërmadhat e ekstremiteteve të tij. E kam lidhur këtë histori edhe me shpresën, me besimin në të ardhmen. Kam trajtuar temën e homoseksualitetit. Mund të duket e qartë, por në Shqipëri nuk kishte një fjalë për ta përkufizuar, jetoheshin në një mohim të vazhdueshëm. Më kaloi mendja ‘çfarë jete të çuditshme, shkatërruese, bënin këta njerëz?’. Tregimi lidhet me anën më të errët, më tribale të disa situatave.”
Në videon e Ferma gli orologi duket shumë i lehtë dhe i qeshur. A ka të bëjë kjo edhe me lindjen e vajzës së tij?
“Po, besoj se ka faza në jetë që kanë të bëjnë me atë sa mund të pranojmë nga vetvetja. Jemi gjithmonë në luftë me vetveten, pranimet vijnë pak nga pak dhe edhe muskujt e fytyrës hapen. Jam i kënaqur me atë që kam bërë. Kam ardhur 30 vjet më parë, kam dashur të bëj muzikë dhe më kanë qeshur në fytyrë. Nuk kam arsye për të qenë i mërzitshëm. E kam fituar privilegjin për të u dëgjuar. Dhe jetoj nga ajo që bëj dhe mendoj. Nuk mund të jem gjë tjetër veçse i lumtur me atë si ka shkuar.”
Ka adoptuar dy vajza shqiptare.
“Akoma nuk është një adoptim formalisht. Herën e parë që i pranuam në shtëpi, bëmë një pushim me to: kur u larguan, shtëpia u shemb në një heshtje të thellë. Nuk doja të dëgjoja më atë heshtje. Kështu që pritëm deri sa të bëheshin 18 vjeç: ne nuk jemi të martuar dhe do të ishte e komplikuar nëse do të ishin të mitura.”
Një akt solidariteti njerëzor. Në këtë periudhë kaq të ndërlikuar historikisht, pyetja e zakonshme: çfarë mund të bëjnë këngët?
“Mendoj se këngët kanë fuqinë të prekin pjesë të qenies njerëzore që përndryshe janë shumë të vështira për t'u arritur. Muzika shkon më thellë, por duhet të gjejë një pikë të ndjeshme, diçka që mund të preket. Sot, ndoshta, ka shumë thjeshtësi në muzikë.”
Një pyetje që shpesh bëhet në këtë periudhë lidhet me dimensionin e madh që kanë marrë koncertet në stadiume, garën për rekordet me çdo çmim.
“Koncertet e bëra kështu janë të shkollës amerikane, janë vërtet shfaqje të mëdha. Ata që shkojnë, presin atë lloj propozimi dhe nuk besoj se shpërqendrohen nga muzika. Nëse do vetëm këngët, shko në një lloj tjetër shfaqjeje. Mendoj se është një filozofi tjetër, kur e bëjnë artistët e huaj e pranojmë pa diskutuar, por kur bëhet fjalë për italianët, bëjmë pyetje, ndoshta sepse nuk jemi mësuar. Por besoj se në një stadium shfaqja duhet bërë kështu, është një nevojë për të spektaklizuar muzikën. Duhet të hapim mendjen ndaj artistëve që sjellin një koncept të ndryshëm shfaqjeje, kërkon guxim.”
Por do të doja të thoja diçka.
“Po, lexoj shpesh komente të hidhura ndaj artistëve femra. Ndonjëherë nuk e kuptojmë sa e vështirë është për ta në Itali: gjithmonë ka pak ngushtësi ndaj tyre. Elodie dhe Annalisa kritikohet që përdorin trupin: por pse, Madonna apo Dua Lipa nuk e bëjnë? Unë mendoj se kritikat vijnë nga fakti që këto artiste kanë sukses. Dhe duhet të kemi një respekt të madh për to, sepse ato kanë luftuar shumë më tepër.”
Çfarë merr me vete nga përvojat e 1 Majit? Do ta bëjë përsëri?
“Do ta bëja përsëri, sepse ka qenë një përvojë shumë e bukur, edhe pse shumë e lodhshme. Duke filluar nga zero, sepse nuk e kisha bërë asnjëherë më parë, e gjeta veten të menaxhoja nëntë orë drejtpërdrejt. E mbaj mend që u ndjeva më i fortë se ç’mendoja. E përdora aftësinë time për improvizim, dy vjet më parë shi ishte i çmendur. Me Noemi dhe BigMama ishte gjithashtu shumë mirë.”
Do të provoje të ktheheshe në Sanremo, ku triumfove në 2018 me Fabrizio Moro me Non mi avete fatto niente? Dhe me cilin shpirt?
“Nuk mendoj për këtë, të paktën tani, jam i zënë me turin dhe librin, akoma nuk kam filluar të shkruaj. Mbete një dritare shumë e rëndësishme, por gjithçka varet nga kënga. Për momentin nuk kam asgjë në duar.”
Në çfarë ndryshon ky spektakël i tij i ri?
“Kjo turne është vazhdimi i atij në teatër, ku ishim vetëm dy në skenë për të veshur pak këngët. Tani kam zgjedhur një formë tjetër, është shtuar një grup me tre instrumentistë, me sintetizatorë dhe loop, dhe aranzhimet ndryshojnë vazhdimisht. Shfaqja rinovohet çdo natë.”/ LaRepubblica