‘Ylli’ i NBA-së, Marcus Morris Sr., arrestohet në aeroport për mashtrim financiar

Marcus Morris Sr., basketbollist me një karrierë 13-vjeçare në NBA, është arrestuar këtë të diel në aeroportin e qarkut Broward, në Florida, për shkak të një akuze të rëndë për mashtrim financiar. Sipas TMZ, lojtari ndodhet aktualisht në paraburgim pa të drejtë për të lënë garanci, për shkak të një urdhër-arresti aktiv nga një tjetër shtet.

Morris, i cili ka luajtur për disa skuadra prestigjioze si Cleveland Cavaliers, Houston Rockets, Phoenix Suns, Detroit Pistons, Boston Celtics, New York Knicks, LA Clippers dhe së fundmi Philadelphia 76ers, dyshohet për përfshirje në një incident të lidhur me përdorimin e një çeku të pambuluar. Detajet e plota të akuzës nuk janë ende të bëra publike.

Kjo ngjarje përbën një tjetër njollë në historikun ligjor të 35-vjeçarit, i cili më parë është përballur me akuza për sulm fizik, përfshirë një rast në vitin 2012 dhe një tjetër në 2015, kur bashkë me vëllanë e tij, Markieff Morris, u akuzuan për sulm të rëndë, akuza që më vonë u hodhën poshtë.

Ndërkohë që Marcus nuk ka reaguar publikisht për arrestimin, vëllai i tij, Markieff, ka shpërthyer në rrjetet sociale:

“Është çmenduri mënyra si e kanë trajtuar. Për një shumë të tillë parash, ta turpërosh dikë në aeroport përpara familjes së tij… Bëjnë që të mendoni se vëllai im ka bërë vërtet një mashtrim. Mund të kishin ardhur thjesht në shtëpi. Kur ta dëgjoni të vërtetën… Gjithçka që mund të them është: mësimi u mor. Vëllai im do t’jua tregojë nesër të vërtetën. Kjo punë po më jep dhimbje koke. Por nuk na ndalin dot!”

Për momentin, Marcus Morris Sr. vijon të qëndrojë i ndaluar, ndërsa pritet sqarimi i mëtejshëm për akuzat ndaj tij.