VIDEO/ Një tjetër ‘xhevahir’ për të ardhmen e Barcelonës, 17-vjeçari i La Masias shënon ndaj Vissel Kobe
Barcelona ka zhvilluar ndeshjen e parë miqësore të verës ndaj Vissel Kobe, duke fituar 3-1 në stadiumin “Noevir”. Pavarësisht vëmendjes që i është kushtuar Marcus Rashford, i cili regjistroi debutimin me fanellën ‘blaugrana’, ishte një tjetër emër që mori duartrokitjet më të mëdha: Dro Fernández.
Vetëm 17 vjeç, mesfushori ofensiv i La Masias, me origjinë nga Vigo, u aktivizua në minutën e 79-të në vend të Rashford. Tetë minuta më vonë, ai realizoi golin e tij të parë me skuadrën e parë të Barcelonës, duke përmbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme një debutim ëndrrash.
“Hyra në fushë pak i emocionuar, por më erdhi topi dhe godita. Ishte hera e parë që luaja me klubin më të mirë në botë, isha shumë nervoz. Hansi dhe shokët më ndihmuan të qetësohesha” tha i emocionuar Dro pas ndeshjes.
I lindur në vitin 2008, Dro (emri i plotë i të cilit është Pedro Fernández Sarmiento) është pjesë e Juvenil A dhe ka kontratë me Barcelonën deri në qershor 2027. Me teknikë të lartë, shikim loje të mprehtë, kreativitet dhe aftësi për të çarë linjat, ai ka impresionuar të gjithë stafin teknik, përfshirë edhe trajnerin Hansi Flick.
Trajneri gjerman, i cili njihet për guximin për t’u besuar të rinjve, tha pas ndeshjes: “Më pëlqeu shumë debutimi i Jofre Torrents dhe Dro, po ashtu edhe i të tjerëve. Kanë cilësi. Dro shënoi një gol... Jam i lumtur që i kemi. Duhet t’i mbështesim dhe t’i ndihmojmë të rriten, ky është detyrimi ynë.”
Barcelona tashmë ka nisur kontaktet për rinovimin e kontratës së talentit, i cili po shihet si një ndër gurët e çmuar të së ardhmes.