Milani ushtron presion për Jasharin, ëndërron Vlahovici-n dhe mban gjallë pistën Doué, Allegri pret përforcimet

Milani ka rritur presionin në merkato me objektiva të qartë dhe dëshirë për të mbyllur sa më shpejt disa çështje të rëndësishme për ndërtimin e skuadrës së Max Allegrit. Prioriteti absolut për momentin mbetet mesfushori Ardon Jashari. Klubi kuqezi ka përmirësuar ofertën ndaj Club Brugge, duke e çuar nga 32.5 në 33.5 milionë euro, plus 5 milionë bonuse, një përpjekje e fundit për të bindur belgët.

Megjithatë, klubi i Brugge mbetet i vështirë për t’u bindur dhe sipas raportimeve nga Belgjika, po përpiqet në mënyrë të dëshpëruar t’ua ofrojë mesfushorin ekipeve të Premier League.

Por fakti që vetë Jashari është i vendosur të transferohet vetëm te Milani është një avantazh i madh për kuqezinjtë. Në Via Aldo Rossi pritet një përgjigje përfundimtare brenda ditës, është momenti i “po”-së ose “jo”-së, dhe koha nuk është më në favor të belgëve.

Më kompleks është operacioni që mund të sjellë Dusan Vlahovicin në Milano. Juventusi ka nevojë të heqë dorë nga sulmuesi për shkak të pagës së lartë prej 12 milionë eurosh, ndërsa Milani kërkon një qendërsulmues dhe emri i serbit pëlqehet nga Allegri. Por dy janë pengesat kryesore: pagesa e kartonit (Milani vlerëson pak më shumë se 10 milionë) dhe paga e lojtarit, që nuk duhet të kalojë 7 milionë në vit një kufi i panegociueshëm për kuqezinjtë. Për të realizuar marrëveshjen do të nevojitet vullnet nga të gjitha palët. Nuk ka panik, por tratativa mbetet e hapur.

Në sfond mbetet ende e nxehtë edhe pista e Guela Doué për krahun e djathtë të mbrojtjes. Edhe këtu, drejtori Igli Tare ka rritur ofertën për Strasburgun, por francezët kërkojnë rreth 30 milionë euro, shumë më tepër nga ç’është i gatshëm të shpenzojë Milani për momentin. Megjithatë, disa shitje mund ta ndryshojnë situatën.

Sa u përket daljeve, Emerson Royal është zyrtarisht lojtar i Flamengos, Colombo pritet të kryejë vizitat mjekësore me Genoan, ndërsa Bennacer është në prag largimi drejt Arabisë Saudite, ndonëse edhe Marseille po përpiqet ta bindë. Shkurt, puna për të balancuar të hyrat dhe daljet vazhdon, dhe me të edhe forma përfundimtare e Milanit të ri të Allegrit.