VIDEO/ ‘Gabimi’ i kushton shtrenjtë Zenitit, Daku i heq dy pikë në fund

Mirlind Daku u kujtoi me mënyrën më të mirë drejtuesve të Zenit Shën Petersburg-ut se vendimi për të mos investuar në të gjatë verës ishte një gabim që tani pi u kthehet si bumerang. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ishte protagonisti absolut i përballjes mes Rubin Kazanit dhe Zenitit, duke barazuar sfidën në minutën e 90-të me një gol vendimtar për rezultatin përfundimtar 2-2.

Kjo ndeshje kishte një domethënie të veçantë për Dakun. Edhe pse kishte probleme fizike dhe u fut në fushë me një tapë në veshin e majtë, për shkak të një goditjeje të marrë në javën që lamë pas, sulmuesi tregoi karakterin e tij luftarak. Ai e kërkoi golin me ngulm, duke qenë i pandalshëm ndaj një prej gjigantëve të futbollit rus.

Zeniti kishte kaluar në epërsi me dy gola në pjesën e parë, por Rubin reagoi në pjesën e dytë: fillimisht me Hoxhën që ngushtoi shifrat, dhe më pas me Dakun që në frymën e fundit të takimit i dha një pikë të artë skuadrës së tij.

Ky ishte goli i parë sezonal për Mirlind Dakun në kampionatin rus dhe, pa dyshim, një mënyrë e fortë për të hapur llogarinë, duke goditur pikërisht kundërshtarin që e refuzoi në merkaton verore.