Bullgaria/ Situata del jashtë kontrollit me zjarret, mbi 100 vatra të regjistruara
Një situatë dramatike është shënuar të dielën në Bullgari, ku mbi 100 vatra zjarri shpërthyen në zona të ndryshme të vendit, duke detyruar autoritetet të evakuojnë banorë dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në banesa.
Sipas mediave lokale, zjarret kanë prekur veçanërisht rajonet malore dhe ato të pyllëzuara. Agjencia ndërkombëtare Reuters raporton se një zjarr i përmasave të mëdha shpërtheu në kodrat e malit Pirin, në jugperëndim të vendit, duke djegur mijëra hektarë pyje.
Një tjetër vatër në qytetin Simitli ka përfshirë shtëpi dhe është përhapur drejt malit Malesevo.
Autoritetet konfirmojnë se mbi 200 zjarrfikës, të cilët u vendosën në terren që të shtunën, u detyruan të tërhiqen për shkak të erërave të fuqishme që rrezikonin jetën e tyre.
Ndërkohë, është kërkuar ndihmë ajrore emergjente nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
Në Bullgarinë perëndimore, një zjarr që nisi të shtunën u përhap deri në Serbi gjatë ditës së diel, duke përfshirë malet Miloslavska dhe shkatërruar thuajse tërësisht fshatin Rani Lug, sipas raportimeve të televizionit Nova.
“Është një tragjedi e pamëshirshme,” deklaroi Zvezdelin Vlaykov, vullnetar i shërbimeve të emergjencës. “Në gjithë karrierën time si zjarrfikës, nuk kam parë kurrë diçka të tillë.”
Ministria e Brendshme bullgare ka konfirmuar se janë evakuuar tre fshatra, ndërsa situata me zjarret konsiderohet ‘dinamike dhe serioze’. Në orët e mbrëmjes, një tjetër zjarr i madh shpërtheu në fshatin Kozarevo, në provincën juglindore Jamboll, duke shkatërruar disa banesa.
Ekspertët e klimës theksojnë se vendet e Evropës Juglindore, përfshirë Bullgarinë, po përjetojnë temperatura rekord dhe se kjo zonë është tashmë në ‘epiqendrën e zjarreve’, një term i përdorur nga komuniteti shkencor për rajonet më të rrezikuara nga ndryshimet klimatike.