Tragjedi/ Treni ekspres del nga shinat, disa të vdekur dhe të plagosur

Një tragjedi ka ndodhur në Gjermani, ku një tren pasagjerësh ka dalë nga shinat mbrëmjen e së dielës në rajonin Baden-Ëürttemberg, duke shkaktuar disa viktima dhe të plagosur.

Sipas Agjencisë Gjermane të Shtypit, duke cituar burime zyrtare, aksidenti ndodhi rreth orës 18:10 pranë Zëiefaltendorf, në rrethin Biberach.

Zëdhënësi i Policisë Federale në Stuttgart, raportoi se dy vagonë të trenit ekspres rajonal të Deutsche Bahn dolën nga shinat. Në tren ndodheshin rreth 100 persona në momentin e aksidentit.

“Të paktën tre persona janë të plagosur, por ende nuk ka informacion mbi ashpërsinë e plagëve,” tha zëdhënësi. Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë zjarrfikësit dhe ekipet e shpëtimit duke punuar për të arritur pasagjerët brenda vagonëve të përmbysur. Dëgjohen edhe britma në sfond.

Një pjesë e trenit ka dalë plotësisht nga shinat dhe është përmbysur në argjinaturën me pemë afër vendit të aksidentit. Ekipet e policisë dhe shpëtimit udhëtuan në distanca të gjata për të mbërritur në vendngjarje dhe prej orës 19:30 janë duke menaxhuar situatën.

Qendra e Kontrollit në Reutlingen kishte raportuar më parë një “incident me viktima masive”, term që përdoret për situata ku pritet një numër i madh të lënduarish që kërkojnë trajtim urgjent.

Shkaku i aksidentit mbetet i paqartë. Një zëdhënës i Policisë Federale tha se po vazhdojnë hetimet për të përcaktuar nëse një stuhi apo pemët në shina janë shkaku i daljes së trenit nga shinat.