Presidenti i Fenerbahçes: Murinjo është personi më i mërzitshëm në botë

Presidenti i Fenerbahçes, Ali Koç, ka lëshuar disa deklarata të çuditshme rreth Jose Murinjos, për t’iu përgjigjur akuzave që ishin ngritur nga rivalët e tij kohët e fundit.

Koç akuzohej se bashkë me trajnerin portugez, kishte kaluar shumë kohë në festa duke pirë alkool, e nuk kishte menduar për klubin që drejton.

Gjatë Asamblesë së klubit, Koç iu përgjigj këtyre akuzave, duke bërë të qartë se ishin false edhe për faktin se Murinjo nuk konsumonte alkool dhe nuk ishte personi më i përshtatshëm për të çuar në një festë.

“Thonë se unë kam kaluar net të tëra me Murinjon. Por ai njeri as nuk pi alkool. Ai është personi më i mërzitshëm në botë jashtë futbollit. Ai flet vetëm për futboll. Ai flet gjithmonë vetëm për futboll, nuk ka asgjë tjetër”, tha Koç para anëtarëve të Asamblesë, ku ishte i pranishëm edhe ish-presidenti i klubit, Aziz Jilldirim.

“Do të ishte shumë turpëruese nëse unë do të thosha këtu atë që më ke thënë për Murinjon. Mos më bëj të flas”, ishin fjalët e Jilldirim gjatë mbledhjes ne të cilën Koç premtoi se gjatë javës do të zyrtarizoheshin dy blerje të mëdha.