SYRI TV/ Shqipëria në flakë, 45 zjarre në 24 orë

Shqipëria vijon të jetë në flakë, teksa në të gjithë vendin gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 45 vatra zjarri, nga të cilat 21 janë ende aktive, 16 janë nën monitorim ndërsa 8 vatra janë shuar.

Situata më kritike paraqitet në Borsh, aty ku prej tre ditësh vijon të jetë aktive vatra e zjarrit midis fshatrave Borsh, Piqeras dhe Sasaji në njësinë administrative Lukovë. Sipas emergjencave civile, në të katër vatrat e zjarrit, përfshi atë në fshatin Kalasë në Delvinë, nuk mund të ndërhyet nga toka, ndërsa në orët e para të mëngjesit nisi punë për shuarjen e flakëve një helikopter i forcave të armatosura.

Në Borsh, u evakuan të paktën 40 banorë dhe turistë për shkak se zjarri rrezikoi banesa, ndërsa shumë turistë janë larguar nga plazhi i Borshit për shkak të tymit mbytës. Zjarri vijon të jetë aktiv edhe në fshatrat e Delvinës, ku situata më problematike është në fshatin Kopaçëz.

Situatë kritike paraqitet në qarkun e Dibrës, ku në parkun kombëtar të Lurës, në Zall Gjoçaj në bashkinë Mat dhe në Qafë Buall. Sipas emergjencave civile në terren për shuarjen e këtyre tre vatrave të zjarrit janë angazhuar qindra forca zjarrfikëse dhe dy helikopter të forcave të armatosura, ndërsa janë evakuar gjashtë banesa.

Edhe në Elbasan, vijojnë të jenë aktive disa vatra zjarri përshi zonën e Shmilit në bashkinë Elbasan dhe zonën e Lisecit në bashkinë Gramsh. Për shkak të terrenit të vështirë dhe sipërfaqeve të dendura pyjore, zjarret kanë marrë përmasa të mëdha, ndërsa flakët vijojnë të shkrumbojnë sipërfaqe të mëdha pyjore.

Tre vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në qarkun e Korçës. Zjarr aktiv është ai në vendin e quajtur Qeramica në Devoll, në fshatin Kriçkovë në Pogradec dhe në parkun kombëtar të Prespës. Për shuarjen e këtyre vatrave janë angazhuar dhjetëra forca zjarrfikëse, por puna nga toka është vështirësuar për shkak të terrenit malor.

Dy zjarre aktive vijojnë edhe në fshatin Galinë të bashkisë Berat si dhe në zonën e Shkopetit dhe fshatin Kulmë të bashkisë Lezhë dhe Mirditë. Në terren për shuarjen e këtyre zjarreve janë angazhuar qindra forca zjarrfikëse, vullnetarë dhe punonjës të administratës së zonave të mbrojtura.