Merz i kërkon Netanyahut armëpushim të menjëhershëm në Gaza
Kancelari gjerman Friedrich Merz pati një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, gjatë së cilës e nxiti që të bëjë gjithçka të mundur për të zbutur intensitetin e krizës humanitare në Gaza.
“Kancelari shprehu shqetësimin e thellë lidhur me situatën katastrofike humanitare në Gaza. Ai i bëri thirrje kryeministrit Netanyahu të ndërmarrë çdo hap të mundshëm për arritjen e menjëhershme të një armëpushimi,” deklaroi sot zëdhënësi i qeverisë gjermane në Berlin.
“Masat që ka njoftuar qeveria izraelite duhet tani të pasohen shpejt nga hapa të tjerë thelbësorë,” theksohet në deklaratën e zëdhënësit të qeverisë, Stefan Kornelius.
Qeveria gjermane planifikon që në ditët në vijim, në koordinim me Francën, Britaninë e Madhe, partnerë të tjerë evropianë, SHBA-në dhe disa shtete arabe, të vendosë se si mund të kontribuojë në përmirësimin e situatës.
Lidhur me nismën e presidentit francez Emmanuel Macron për të shpallur në shtator se ‘Franca do ta njohë shtetin e Palestinës’, Kornelius përsëriti se njohja e Palestinës nuk është aktualisht në agjendën e qeverisë gjermane. Qeveria gjermane vazhdon ta konsiderojë atë si një nga hapat e fundit drejt arritjes së një zgjidhjeje me dy shtete.
Ndërprerje e operacioneve dhe hedhje ndihmash emergjente
Më herët, ushtria izraelite (IDF) njoftoi ndërprerjen e operacioneve ushtarake në tre zona të caktuara të Gazës, si pjesë e përpjekjeve për të kufizuar pasojat e krizës humanitare, e cila ka shkaktuar reagime të forta në nivel ndërkombëtar.
Njëkohësisht, nga Egjipti filluan të kalojnë kamionë me ndihma humanitare, ndërsa avionë kryejnë hedhje ajrore me furnizime që mund të ofrojnë njëfarë lehtësimi për banorët e kësaj zone të goditur rëndë.
Dy avionë të Jordanisë dhe një i Emirateve të Bashkuara Arabe hodhën sot 25 ton ndihma humanitare mbi Rripin e Gazës, bëri të ditur ushtria jordaneze.
“Forcat e armatosura të Jordanisë kryen sot tre hedhje ajrore me ndihma humanitare në Rripin e Gazës, njëra prej të cilave u realizua së bashku me Emiratet e Bashkuara Arabe,” thuhet në një deklaratë për shtyp të ushtrisë, ku saktësohet se u hodhën gjithsej 25 ton ndihma. Syri.net-iefimerida