SYRI TV/ Satelitët e Ramës po na 'mbrojnë' nga zjarret, ushtria fik zjarrin me degë pemësh

Ndërsa Shqipëria po përballet me zjarre masive, forcat e emergjencave civile kanë mungesë të theksuar mjetesh për shkak të mungesës së investimit. Në një kohë që të gjitha vendet e rajonit investonin në mjete për shkak të rrezikshmërisë së lartë në rajonin tonë, duket se vetëm Shqipëria dhe kryeministri Edi Rama këto investime i orientoi tjetërkund, në satelitët që sipas tij do të na mbronin nga zjarret.

Në tetor të vitit 2021, pasi Shqipëria kishte kaluar një situatë katastrofike me zjarret që shkrumbuan gjithçka, Edi Rama doli para shqiptarëve për t’u thënë se qeveria po parashikonte një mbrojtje të jashtëzakonshme, falë idesë së kryeministrit për të kryer monitorimin me satelitët Albanian One dhe Albanian Two.

Pas kalimeve edhe të peripetive të tjera, me mungesë të theksuar kapacitetesh dhe me investime minimale në sektorin e Emergjencave Civile, kryeministri Edi Rama organizoi një tjetër shoë prezantues, për t’ju thënë shqiptarëve që tashmë nga zjarret do të ishim të sigurt falë ngritjes së satelitëve në hapësirë.

Sot 2 vite më pas, me siguri mund të thuhet vetëm se satelitët e ngritur në orbitë nga Edi Rama kanë marrë të paktën 6 milionë dollarë nga taksat e shqiptarëve, e për shërbimin e premtuar nuk ka asnjë të dhënë nëse është kryer. Kjo situatë bëhet edhe më e rëndë sot, kur forcat e emergjencave civile dhe ushtrisë detyrohen të fikin zjarrin me mjete rrethanore, por ndryshe nga 3 vite më parë, ata tashmë mund të fotografohen me satelitë.