SYRI TV/ Zjarret, arrestohen dy piromanë në Tiranë e Vlorë
Dy persona janë vënë në pranga nga Policia e Shtetit për zjarret në Kaninë të Vlorës dhe Malin me Gropa. Në Vlorë është arrestuar Elmaz Fejzaj, 33 vjeç, ndërsa në Tiranë Bahri Hysa, 63 vjeç. Ata akuzohen për ‘Shkatërrim me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor’. Sipas policisë, ata kanë ndezur zjarre të vogla për të djegur disa kullota, por për shkak të erërave të forta janë përhapur duke shkaktuar dëme të mëdha. Në Tiranë zjarri është shuar, ndërkohë që në zonën e Kaninës vijon, por situata është vënë nën kontroll.
Ndezja e zjarreve për të djegur kullotat në jo pak raste ka sjellë përhapjen e tyre dhe shkaktimin e zjarreve më të mëdha, të cilat kanë krijuar dëme të shumta dhe kanë kërkuar ndërhyrjen e forcave të zjarrfikëses dhe jo tjetër. Megjithë sensibilizimin e bërë, ky fenomen nuk është ndalur dhe këtë vit.
Për këtë arsye këtë të dielë policia ka vënë në pranga dy persona, një në Tiranë dhe një në Vlorë. Në qytetin bregdetar, blutë kanë arrestuar 33-vjeçarin Elmaz Fejzaj. Fejzaj ka ndezur një zjarr për pastrimin e barërave në një sipërfaqe kullote në pronësi të tij në vendin e quajtur ‘Gryka e Zguros’ në Malin e Shashicës. Flakët janë përhapur duke dalë nga kontrolli dhe duke djegur një sipërfaqe të konsiderueshme me shkurre dhe bimësi dhe është përhapur dhe në fshatrat Kaninë dhe Serishtë. Në këtë zonë zjarri vijon ende të jetë aktiv, megjithëse situata është përmirësuar.
Ndërkohë në Tiranë është arrestuar për ‘Shkatërrim me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor’, Bahri Hysa, 63 vjeç. Hysa, i cili ishte bari në zonë, ka ndezur një zjarr në një sipërfaqe kullote në vendin e quajtur ‘Fushë Stanë’ në zonën e Malit me Gropa. Zjarri, i favorizuar nga era e fortë dhe temperaturat e larta, është përhapur dhe ka sjellë djegien e 600 hektarëve në luginën e Grykës së Mullinit, Qafa e Qershisë, të cilat ndodhen brenda kufijve të Parkut Kombëtar të Dajtit, që bën pjesë në Zonat e Mbrojtura Natyrore.