Shqipëria në flakë/ Haxhimali: Zjarret nuk shuhen me deklarata! Ku janë kryebashkiakët dhe drejtuesit vendorë?
Drejtori i Institutit për Bashkitë, Agron Haxhimali, ngre alarmin për mungesën e drejtuesve vendorë në terren përballë emergjencës së zjarreve që kanë përfshirë vendin. Në një intervistë për SYRI TV, ai thekson se mbrojtja civile është një përgjegjësi e drejtpërdrejtë e njësive të vetëqeverisjes vendore dhe se zjarret nuk mund të menaxhohen vetëm me deklarata publike nga nivelet qendrore.
Sipas Haxhimalit, zjarret e verës janë rezultat i mosangazhimit të institucioneve vendore gjatë dimrit, kur duhej të përgatitej zinxhiri i reagimit të mbrojtjes civile. Ai shpreh keqardhje për mungesën në skenë të kryetarëve të bashkive dhe drejtuesve të emergjencave lokale, ndërsa në fokus të kamerave janë vetëm deklaratat e ministrave dhe zëvendësministrave.
Agron Haxhimali: Çështja e mbrojtjes Civilë është një përgjegjësi e njësive të vetëqeverisjes vendore dhe një zinxhir i institucioneve qendrore. Por ajo që bie më shumë në sy dhe që është keqardhje aq e madhe, është konstatimi krejt i drejt i juaji kur thoni: Ku janë këta kryetarët e bashkive? Ku është drejtori i Emergjencave Civile? Pse duhet në raste të tilla me pozicionin e shpëtimtarit ministri apo zv/ministri.
Sigurisht, ata kanë të drejtën e tyre të komunikojnë me publikun, të bëjnë njoftimet për raste të tilla. Por, zjarret nuk shuhen me deklarata. Zjarret shuhen kur i gjithë ekipi ka punuar gjatë gjithë vitit. Zjarret e verës e kanë origjinën nga dimri. Zjarret e verës janë si rezultat i punës që nuk është bërë gjatë gjithë dimrit në sistemin e mbrojtjes Civile. Por, pavarësisht këtyre gjërave dhe unë në pritshmëritë e mia do prisja që në ballin e punës, në rastin më të parë të ishin zyrtarët vendorë, kryetari i bashkisë apo strukturat lokale.
Dhe këto nuk duhet të eklipsohen nga përqendrimi dhe centralizimi i madh i opinionit publik. Pra, në këtë rast çfarë parashikoj unë...
Parashikoj një pamje televizive me deklarata për të shpjeguar që zjarret e natës janë një instilacion i natës i bukur, sesa për të treguar që jemi këtu dhe kemi një sistem të mbrojtjes civile efikase ku është i angazhuar komuniteti, strukturat lokale të bashkisë, mbrojtja civile e lokale, FA, qoftë dhe ato ndërkombëtare.
Nuk është e drejtë në fakt që të mos kemi evidenca të sakta për rolin e të zgjedhurve vendorë.