Vështirësi në fshatin Zhulat/ Zjarrfikësit duhet të ecin 5 orë në këmbë për të aksesuar vatrën e zjarrit

Zjarri në zonën malore të Bredhit të Zhulatit vijon të paraqitet një situatë e vështirë, për shkak të terrenit të thepisur dhe kushteve të pafavorshme për ndërhyrje nga toka. Forcat zjarrfikëse dhe strukturat mbështetëse ndodhen prej orëve të para të mëngjesit në terren, ndërsa autoritetet po kërkojnë ndërhyrje nga ajri për të frenuar përhapjen e flakëve në pyllin me bredha.

Sipas të dhënave zyrtare, operacioni ka nisur në orën 04:00 të mëngjesit nga fshati Zhulat, me forcat në vijim:

14 zjarrfikës nga Mbrojtja nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSh), 20 efektivë të ushtrisë, 7 punonjës nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARSH), 23 punonjës të bashkisë, 5 punonjës të policisë bashkiake

Terreni i thyer dhe i pakalueshëm e ka bërë të domosdoshme që forcat të ecin për rreth 4–5 orë në këmbë për të mbërritur në vatrën e zjarrit.

Një grup prej 4 personash (1 zjarrfikës dhe 3 banorë të Zhulatit) u nisën dje në orën 19:00 drejt zonës së djegur dhe nisën punën për izolimin e flakëve që prej orës 03:30 të mëngjesit.

Një tjetër grup ndodhet aktualisht në malin e fshatit Fushë Bardhë, me synim mbylljen përfundimtare të vatrës.