Çelsi ofron 65 milionë për yllin e Juventusit, ‘Zonja e Vjetër’… refuzon

Kenan Jildiz nuk është në shitje. Lajmi më i rëndësishëm i merkatos së verës për Juventusin është mbajtja e numrit 10 të skuadrës, lojtarit për të cilin trajneri Igor Tudor ka besim të madh dhe mbi të cilin drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” duan të ndërtojnë të ardhmen.

Drejtori sportiv Komoli ka mbyllur çdo dyshim dhe ka dërguar një mesazh të qartë klubeve të mëdha europiane, veçanërisht Çelsit, i cili së fundmi erdhi në Torino me një ofertë prej 65 milionë eurosh për talentin turk. Por Juventusi nuk u tundua dhe refuzoi menjëherë, duke ndërtuar një “mur” mbrojtës për yllin e ri, simbol i projektit të ri që po ndërtojnë Komoli dhe Kielini.

Klubi anglez, i ardhur nga triumfi në Kampionatin Botëror për Klube, përfundoi duke ndryshuar objektivin, duke u fokusuar tek Ksavi Simons i Lajpcigut. Ndërkohë, Juventusi ka nisur punën për rinovimin e kontratës së Jildiz, që pak më shumë se një vit më parë kishte zgjatur marrëveshjen deri në 2029, duke përmirësuar edhe pagën (rreth 1.5 milionë euro plus bonuse).

Sipas “La Gazzetta dello Sport”, propozimi i ri parashikon një kontratë deri në vitin 2030, me një rritje të pagës që do të jetë në nivel me yjet e tjerë të skuadrës, të paktën 4 milionë euro në vit.

Rinovimi i kontratës së Kenan Jildiz është kthyer në prioritet kryesor për çiftin drejtues Komoli-Kielini, dhe pritet që nënshkrimi të bëhet zyrtar në ditët e ardhshme, duke siguruar kështu të ardhmen e talentit të madh me “Zonjën e Vjetër”.