Zjarri në malin Shashicë dyshohet se është i qëllimshëm, një person në pranga
Në orët e para të mbrëmjes së djeshme, një zjarr i përmasave të konsiderueshme ka rënë në malin “Shashicë”, në afërsi të fshatit Kaninë, konkretisht në zonën e njohur si “Gryka e Zguros”.
Flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të madhe me bimësi të dendur dhe, për shkak të erës dhe terrenit të vështirë, janë përhapur me shpejtësi në drejtim të fshatrave Kaninë dhe Sherishtë, duke rrezikuar zonat e banuara dhe stanet e bagëtive në afërsi.
Pas hetimeve paraprake të kryera nga autoritetet, është bërë i mundur identifikimi dhe ndalimi me iniciativë i një të dyshuari për zjarrvënie të qëllimshme. Bëhet fjalë për shtetasin E.F., banues në Kaninë, i cili posedon një stan bagëtish në zonën ku dyshohet se është ndezur zjarri.
Sipas burimeve zyrtare, motivi i zjarrvënies dyshohet të jetë hapja e kullotave të reja për bagëtinë, një praktikë e ndaluar që ka sjellë pasoja të rënda mjedisore dhe rrezik për banorët lokalë.
Ndaj shtetasit E.F. është regjistruar procedim penal për veprën penale “Shkatërrim i pronës me zjarr”, dhe hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Autoritetet kanë bërë apel për ndërgjegjësim dhe bashkëpunim nga ana e komunitetit për të parandaluar raste të tilla që dëmtojnë ambientin dhe vënë në rrezik jetën dhe pronën e qytetarëve.