Për të dytën herë brenda ditës, Kuvendi po mblidhet për një përpjekje të fundit
Deputetët e zgjedhur të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës po mblidhen për të dytën herë brenda ditës në tentim për ta konstituuar Kuvendin, përpara se të mbyllet afati 30-ditor i vendosur nga Gjykata Kushtetuese.
Në vendimin e saj më 26 qershor, Kushtetuesja urdhëroi që brenda afatit prej 30 ditësh të përfundojë procesi i konstituimit, përfshirë zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendi. Ky afat përfundon sot në mesnatë.
Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, e konfirmoi se ai ka zhvilluar një takim, pas seancës së orës 14:00, me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Por, ai tha se gjatë këtij takimi nuk pati asnjë diskutim përtej asaj që është thënë në publik më parë.
‘Fatkeqësisht nuk ka marrëveshje’, tha ai, para se të hyjë brenda ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.
Edhe Armend Zemaj, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se nuk ka shpresa që as në seancën e orës 22:00 mund të bëhet konsituimi i Kuvendit.
Por, ai tha se ka dëgjuar se ka presion ndaj deputetëve të grupeve minoritare.
Lidhur me këtë, deputeti nga komunititeti ashkali, Arton Asllani, tha se atij nuk i është bërë presion nga askush dhe se është i gatshëm të votojë cilindo kandidat që propozohet për postin e kryeparlamentarit.
Lëvizjes Vetëvendosje do t’i mjaftonin votat e tre deputetëve të Nismës Socialdemokrateve dhe deputetëve të minoriteve, përveç atyre të Listës Serbe, për t’i siguruar 61 votat e nevojshme.