Arsenali prezantoi Viktor Gyökeres, Arteta entuziast për përforcimin e ri
Arsenali ka konfirmuar sot transferimin e sulmuesit suedez Viktor Gyökeres nga Sporting Lisbona, pas një periudhe të gjatë negociatash. Klubi londinez i ka dhënë mirëseardhjen zyrtarisht lojtarit, ndërsa trajneri Mikel Arteta ka shprehur entuziazmin e tij për këtë afrimin të rëndësishëm.
“Jemi jashtëzakonisht të lumtur që mirëpresim Viktor Gyökeres në klub,” u shpreh Arteta për faqen zyrtare të Arsenalit. “Qëndrueshmëria që ka treguar në paraqitjet e tij dhe përkushtimi që sjell janë të jashtëzakonshme. Kontributi i tij në gola flet vetë.”
Arteta vlerësoi gjithashtu cilësitë fizike dhe teknike të sulmuesit 26-vjeçar: “Viktor është i fuqishëm dhe i shpejtë në fazën sulmuese, me statistika mbresëlënëse si në klub ashtu edhe në arenën ndërkombëtare. Ka një efikasitet të lartë për shndërrimin e rasteve në gola dhe lëvizjet e tij të zgjuara brenda zonës e bëjnë një kërcënim të vazhdueshëm.”
Trajneri spanjoll u shpreh i bindur se suedezi do të ketë një ndikim të menjëhershëm te skuadra: “Jemi të entuziazmuar për atë që Viktor do të sjellë në ekipin tonë dhe mezi presim të punojmë me të. I urojmë mirëseardhjen Viktor-it dhe familjes së tij në Arsenal.”
Ky transferim përforcon ndjeshëm repartin ofensiv të “Topçinjve”, teksa klubi synon të garojë për trofetë kryesorë në Angli dhe Evropë në sezonin e ri.