VIDEO/ Ironia e muzikologut: Emmanuel Macron që i bie flautit ndërkohë që drejton shtetin...

Në një reflektim të thellë mbi raportin e pushtetit me artin, muzikologu dhe pianisti Red Radoja sjell një perspektivë historike, të ngjizur me ironi të hollë dhe realizëm.

Në ‘Odeon’, ai ndalet tek ajo që ai e quan ‘arti elitar’ dhe varësia e tij e përhershme nga mbështetja e autoriteteve një varësi që nuk ka ndryshuar nga mesjeta deri sot.

Red Radoja:

‘Muzika klasike, muzika shkollore, ka qenë gjithmonë e varur nga dashamirësia e personave që kanë qenë në pushtet.

Pushteti në kohën e mesjetës, në periudhën e rilindjes, në periudhën baroke-klasike përfshirë edhe pushtetin që ka pasur kisha në vendet perëndimore ka investuar në krijimet liturgjike.

Plus dashamirësia e personave në pushtet që mund të ishin mbretërit e epokave të ndryshme ose aristokratë më të vegjël, duke filluar nga princët, dukët etj.

Kjo gjë do të vazhdojë të jetë kështu, pasi arti elitar ta themi në thonjëza nuk është utilitar, nuk prodhon diçka të prekshme që ka një efekt më imediat. Nuk është diçka që mund ta konsumosh si një ushqim normal pa të cilin ti nuk jeton dot. Është diçka që ka pasur një refleksion të gjatë, dhe prandaj duhet ndihma e atyre që po i quaj autoritet në këtë rast.’

Sipas Radojës, sfida e kohëve moderne qëndron në edukimin e këtyre autoriteteve të reja, të cilat nuk janë më religjioze dhe, në shumë raste, nuk janë më të lidhura natyrshëm me kulturën:

 ‘Dikur shohim që kanë qenë të mirëedukuar. Po të flasim dhe në historinë e muzikës, ka drejtues shtetesh madje mund të përmend Frederikun e II të Prusisë të shekullit të tetëmbëdhjetë, i cili ka qenë strateg i madh prusian. Prej tij lind ajo madhështia e frikshme ushtarake-gjermanike. Njëkohësisht ka qenë një nga flautistët më të mirë të Evropës.

Ka qenë nga kompozitorët e njohur të Gjermanisë së asaj kohe dhe ka bërë mbi 100 vepra muzikore.’

Me një buzëqeshje ironike, ai përmend figura bashkëkohore si Olaf Scholz dhe Emmanuel Macron, duke vendosur një paralele të guximshme mes shekujve:

‘Në kohën tonë të mendojmë Olaf Scholz ose Emmanuel Macron që i bie flautit ose i bie pianos dhe kompozon ndërkohë që drejton shtetin me kushtin dhe që ta drejtojë mirë.

Sepse Frederiku i Prusisë nuk mbahet vetëm për arritjet ushtarake ka arritur në momente kyçe të historisë së Prusisë dhe ka shpëtuar popullin e vet nga uria.

Na duhen drejtues të tillë.’