VIDEO/ Red Radoja në ‘Odeon’: Për një publik që largohet gjithmonë e më tepër nga Opera…
Në një kohë kur opera klasike duket se po largohet nga qendra e vëmendjes kulturore, Red Radoja sjell një reflektim të thellë mbi nevojën për t’u rikthyer te struktura dhe thelbi i saj tradicional. Gjatë intervistës për ‘Odeon’, ai flet për formën, përbërësit dhe nevojën e një marrëdhënieje më të vetëdijshme me publikun.
Red Radoja:
‘Për një publik që largohet gjithmonë e më tepër nga Opera, ose ai publik që ngelet dhe shkon në teatrot e operas shtohet gjithmonë e më tepër është gjithmonë mirë që të mbetemi në krijimtarinë e operas, në atë që është opera tradicionale.
Pra, njerëzit të kuptojnë çfarë është një recitativ, që ta ndjejnë, çfarë është një arie, dhe këto pjesët lidhëze që unë i quaj interlude instrumentale, që është e njëjta temë.
Të tre interludet tek i pari ka pak atë ritmikën që quhet uvertura, që të kujton kohën e Luigjit të XIV, më e kristalizuar nga autorët francezë, nga kompozitorët francezë të periudhës baroke.
Interludi i dytë është disi më i butë, ka një pjesë gati vajtuese në partin e violinçelit, interludi i tretë e quajmë polifonikisht një fugato e vogël.’
Ky strukturim i kujdesshëm muzikor, sipas Radojës, nuk është vetëm estetik, por edhe didaktik, një mënyrë për të edukuar dhe përfshirë publikun:
‘Pra, them që vepra duhet të ketë një karakter pak didaktik me publikun. Mua vetë më pëlqen që të flas, të shpjegoj nuk e bëra këtë herë, se m’u duk mjaft e tepërt. Mendoja që, duke qenë se ishte dhe libreti në dorën e spektatorëve, t’i lija ata ta zbulonin vetë, ose të ishin vetë pjesë e shfaqjes me imagjinatën e tyre, që te secili është e ndryshme.’
Ky moment i ndarjes mes interpretuesit dhe audiencës, ku secili merr një rol aktiv në përjetimin e veprës, është për Radojën thelbësor për jetëgjatësinë e Operës si formë arti duke mos e larguar nga publiku, por duke e rikthyer me një ndjenjë të re përkatësie dhe kuptimi.