Zyrtare/ Gyökeres është lojtar i Arsenalit, Sporting-u falënderon golashënuesin suedez

Tashmë është zyrtare: Viktor Gyökeres është transferuar te Arsenali. Pas një “telenovele” që zgjati gati dy muaj, sulmuesi suedez largohet nga Sporting-u drejt Londrës, duke realizuar ëndrrën për t'u bashkuar me "topçinjtë". Edhe pse pati tensione gjatë procesit të transferimit, klubi portugez i jep lamtumirën lojtarit pa keqardhje dhe me falënderime publike për kontributin e tij.

Gjithçka ndodhi mes përplasjeve të forta mes Sporting-ut, përfaqësuesve të lojtarit dhe vetë Arsenalit. Agjenti Hasan Çetinkaya dhe drejtuesit e klubit portugez debatuan fort për kushtet e marrëveshjes, ndërsa Arsenali pothuajse e humbi durimin. Vetë Gyökeres, 27 vjeç, mungoi në stërvitjet e para të sezonit për 14 ditë me qëllimin e qartë për të detyruar largimin.

Megjithatë, fundi ishte ai që ai kërkonte: u transferua te Arsenali dhe Sporting-u siguroi një shumë që, me bonuset e përfshira, mund të arrijë deri në 80 milionë euro, një kërkesë që klubi e kishte bërë të qartë që në fillim.

Në lamtumirën zyrtare, Sporting tregoi vlerësim të madh për sulmuesin. “Njëri nga më të mirët në historinë tonë”, shkruan klubi në rrjetet sociale, duke i uruar suksese në aventurën e re në Premier League.