Shikoni si po digjet Parku Kombëtar i Prepës, flet kryebashkiaku i Pustecit: Sipërfaqja e djegur është goxha e madhe
Flakët që kanë përpirë Parkun Kombëtar të Prepës mbi Pustec pasditen e sotme u favorizuan nga thatësira, ndërsa mungesa e një rruge kalimi e bëri ndërhyrjen të pamundur
Syri Tv sjell pamjet me dron të filmuara pasditen e sotme ku duket që flakët vijojnë të jenë aktive.
Pali Kolefski, kryetari i Bashkisë Pustec, në një intervistë televizive thotë se sipërfaqja e djegur është goxha e madhe por u rezervua të jepte shifra. Ai informoi se ndërhyrja nga ajri pritet të bëhet nesër në mëngjes ndërsa do të jenë hetimet që do të përcaktojnë dhe shkaqet e zjarrit.
"Që në momentet e para që u lajmërua, ka qënë reagim i shpejtë por moti dhe kjo thatësirë ka favorizuar përhapjen e tij. Zjarri ka zënë në një pjesë ku ka bimësi të ulët dhe ajo çka e vështirëson ndërhyrjen është se nuk ka rrugë kalimi.
Ne u munduam me të gjitha mjetet që kemi, qoftë edhe me zjarrfikëse , kemi patur ndihmë edhe nga Bashkia e Pogradecit. Kanë qënë këtu zjarrfikeset e bashkisë tonë, zjarrfikëset e Pogradecit , punonjësit e shërbimeve, zona e mbrojtur . Ne jemi duke bëtë një plan ndërhyrjeje për nesër në orët e para të mëngjesit, ky është edhe mendimi i specialistëve që kjo mund të jetë më efikase.
Siparfaqja e djegur është goxha e madhe por nuk mund të them një shifër, terreni është shumë i vështirë, goxha e thepisur, bimësia e dendur nuk e lejon ndërhyrjen. Fillimisht sipas specialiatëve , Ministrisë së Brendshme dhe policisë zjarri ka nisur këtu në rrugë, pas nesh. Nuk e di nga pakujdesia ose zjarrvënie e qëllimshme, këtë ngelet ta vërtetojnë ata" deklaroii Kolefski.