Makthi s’ka fund për sulmuesin e Juventusit, dëmtohet sërish... në palestër
Vazhdon periudha e pafat për sulmuesin polak të Juventusit, Arkadiusz Milik, i cili ka pësuar një tjetër dëmtim dhe do të mungojë për rreth një javë. Sipas njoftimit zyrtar të publikuar nga klubi bardhezi, lojtari ka pësuar “një plagë të prerë dhe të mavijosur në pjesën e përparme të tibias së djathtë” gjatë një incidenti të rastësishëm në palestër.
Milik nuk luan që prej qershorit të vitit 2024 dhe rikthimi i tij në fushë pritej për fillimin e këtij sezoni, por dëmtimi i fundit ka shtyrë sërish planet për t’u kthyer në formë të plotë.
Ndërkohë, të premten, më 25 korrik, skuadra e Juventusit zhvilloi seancën e dytë stërvitore të sezonit në Continassa. Në mëngjes, lojtarët u përqendruan në përgatitjen fizike, ndërsa pasdite u rikthyen në kontakt me topin përmes ushtrimeve teknike dhe mini-ndeshjeve.
Përveç Milik, që mungoi për shkak të dëmtimit në tibia, edhe disa lojtarë të tjerë vazhdojnë procesin e rehabilitimit. Kelly po vijon stërvitjen në palestër dhe ka nisur të vrapojë në fushë; Perin punon në mënyrë të personalizuar me trajnerin e portierëve; ndërsa Nicolò Savona është ende në fazë terapie pas dëmtimit të pësuar gjatë Kupës së Botës për Klube. Edhe Cabal vijon me stërvitje të pjesshme me skuadrën, duke alternuar punën në grup me atë individuale në fushë dhe në palestër.