Shkencëtarët mund të parashikojnë se kur do të vdesësh me një test të thjeshtë
Një skanim i trurit përmes rezonancës magnetike (MRI) në të 40-at mund të zbulojë se sa shpejt po plaket trupi juaj dhe si kjo ndikon në jetëgjatësi dhe rrezikun për sëmundje si Alzheimeri.
Hulumtuesit nga Universiteti i Duke-s zbuluan se plakja biologjike, që tregon sa shpejt plaket trupi juaj në krahasim me moshën reale, lidhet me ndryshime të dukshme në tru. Ata zhvilluan një mjet të quajtur DunedinPACN, që analizon një skanim të vetëm për të përcaktuar “ritmin e plakjes”, duke matur parametra si vëllimi i lëndës gri dhe zona të caktuara si hipokampusi, pjesë e trurit e lidhur me kujtesën.
Mjeti u bazua në skanimin e trurit të 860 pjesëmarrësve në studimin Dunedin. Ata që kishin ritmin më të shpejtë të plakjes kishin 18% më shumë gjasa të diagnostikoheshin me një sëmundje kronike dhe 40% më shumë rrezik për të vdekur në pak vite, krahasuar me ata që plaken më ngadalë.
Sipas profesor Ahmad Haririt, “ajo që është vërtet mbresëlënëse është që duke analizuar trurin në mesin e jetës mund të parashikojmë demencën tek të moshuarit”.
DunedinPACN tregoi se ata që plaken shpejt kishin përkeqësim të kujtesës dhe më shumë tkurrje të hipokampusit. Ata gjithashtu ishin më të rrezikuar për sëmundje si goditje në tru, sulm në zemër, sëmundje të mushkërive dhe rënie të përgjithshme fizike.
Ndryshime të tjera të rëndësishme përfshijnë zgjerimin e ventrikujve (zona të mbushura me lëngje që tregojnë tkurrje të trurit) dhe zvogëlim të trashësisë së korteksit (shtresa e jashtme e trurit), që janë shenja të plakjes së përshpejtuar.
Studiuesit përdorën softuerin FreeSurfer për të analizuar 315 karakteristika të trurit, përfshirë raportin mes lëndës gri dhe të bardhë, që ndihmon në vlerësimin e cilësisë së indeve të trurit.
Për të testuar saktësinë, ata analizuan skanimet e 624 personave të moshës 52 deri 89 vjeç që morën pjesë në një studim mbi rrezikun për Alzheimer. Ata që plakeshin më shpejt kishin 60% më shumë gjasa të zhvillonin demencë dhe simptomat e tyre mendore filluan më herët.
Nga ana tjetër, ata që plakeshin ngadalë e kishin trurin në gjendje më të mirë, më të trashë, me më pak shenja dëmtimi, duke i bërë ata më rezistent ndaj sëmundjeve dhe me jetë më të gjatë. Truri i tyre dukej si ai i një 30-vjeçari edhe pse ishin 45.
Sipas Haririt, këto gjetje vlejnë për njerëz të të gjitha racave dhe shtresave sociale, gjë që e bën mjetin premtues për përdorim të gjerë në parashikimin e shëndetit mendor dhe fizik. / Daily Mail - Syri.net