Dështon sërish konstituimi i Kuvendit në Kosovë, seanca tjetër në 22:00! Gazetari zbulon negociatat prapa kamerave

Deputetët e zgjedhur të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës dështuan sërish sot në tentimin e 53-të për konstituimin e Kuvendit, përpara se të mbyllet afati 30-ditor i vendosur nga Gjykata Kushtetuese.

107 deputetë ishin të pranishëm në sallë, por konstituimi dështoi pasi që sërish nuk pati propozime dhe kuorum për formimin e një komisioni për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri. 

Një tentativë të fundit, të 54-t është caktuar të vazhdojë sot në orën 22:00.

Por çfarë po ndodh në këto orë?

Gazetari Venhar Isufi nga Prishtina në një intervistë për Syri Tv thotë se Vetëvendosje po vijon negociatat për të gjetur votat që do ulin në karrigen e kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu.

“Nuk ka ndodhur ndonjëherë. Kemi hyrë në muajin e 5-të nga data e zgjedhjeve në shkurt e shohim që nuk kemi as qeveri të re. Ka pasur informacione nëse VV do të kishte 58 deputetë dhe Nisma e Fatmir Limajt do të votonin të propozuarën Albulena Haxhiu për kryetare e Kuvendit, prandaj është kërkuar dhe të votohej në mënyrë të fshehtë. Por sot ishin 56 vota, dhe Nisma nuk e votoi as këtë herë të propozuarën për kryetaren e Kuvendit. Mungoi vota e dy deputetëve, Veton Berisha dhe Duda Balja.

Balja, është një deputete që jo vetëm po merr kërcënime nga Serbia por dhe brenda partive opozitare për të mos votuar. Ndërkohë deri në orën 22:00 Vetëvendosje do të vijojë negociatat,  por deri tani nuk ka ndonjë lëvizje pozitive nga ndonjë deputet opozitar që të mund të krijojë”

Pas mesnatës, deputetët nuk do të mund të marrin asnjë vendim apo veprim në drejtim të konstituimit të Kuvendit.

“Jemi në fazën e pritjes së përgjigjes nga Gjykata Kushtetuese. Është në situatë e papranueshme dhe e paprecedentë, dhe deputetët nuk janë të interesuar të bëjnë një zgjidhje. Është një situatë e vështirë për shtetin tonë edhe para faktorëve ndërkombëtare" analizon Isufi për gazetaren Eneida Ndoci. 

Që nga 15 prilli – kur nisi seanca konstituive – organizatat joqeveritare u kanë bërë vazhdimisht thirrje deputetëve që t'i formojnë institucionet e reja. Këtyre thirrjeve iu bashkuan edhe diplomatë të huaj të premten, si ambasadorët e Gjermanisë, Bashkimit Evropian dhe të tjerë që ishin të pranishëm në seancën e 52-të konstituive.