Çmimi i Madh i Belgjikës/ Lando Norris në ‘pole’, Piastri i dyti, katastrofë për Hamilton
Lando Norris ka siguruar ‘pole position’ në provat zyrtare të Çmimit të Madh të Belgjikës në Spa-Francorchamps, duke udhëhequr një dyshe McLaren në vijën e parë. Piloti britanik regjistroi kohën më të shpejtë me 1:40.562, duke lënë pas me vetëm 85 të mijëtat e sekondës shokun e skuadrës, Oscar Piastri.
Në vijën e dytë do të jetë Ferrari me Charles Leclerc, i cili vendosi kohën e tretë dhe i dha një grimë shprese skuadrës italiane pas një pasditeje jo të shkëlqyer. Leclerc do të niset përpara Red Bull-it të Max Verstappen, që u rendit i katërti.
Ndërkohë, një disfatë totale për Lewis Hamilton, i cili u eliminua që në Q1 për shkak të kalimit të kufijve të pistës (track limits) dhe do të niset nga pozita e 16-të, nga rreshti i tetë, pas Williams-it të Carlos Sainz. Britaniku kishte regjistruar një kohë që e vendoste në vendin e shtatë, por ajo iu anulua, duke e lënë jashtë Q2. Një gabim në kthesën Eau Rouge i kushtoi shumë, me rrotën e djathtë të përparme që kaloi skajin e pistës.
Pozicionimet e tjera në nisje:
- Rreshti i tretë: Alexander Albon (Williams) në vendin e pestë dhe George Russell (Mercedes) i gjashti.
- Rreshti i katërt: Hadjar dhe Lawson.
- Rreshti i pestë: Bortoleto dhe një tjetër performancë zhgënjyese për Haas me Ocon dhe Bearman në pozitat 11 dhe 12.
- Rreshti i nëntë: Andrea Kimi Antonelli i 18-ti, krahas Colapintos, me vetëm Alonso dhe Stroll të Aston Martin pas tyre.
Spa nuk u solli fat Hamilton-it dhe Antonell-it, të cilët për të dytën herë radhazi nuk arritën të kalojnë Q1, madje as në provat Sprint. Gara premton emocione, me McLaren në majë dhe shumë surpriza në mesin dhe fundin e grilës.