Prania e ‘xhuxhave’ në ditëlindjen e Yamal-it, Laporta rindez polemikat: Festë madhështore, sa keq që nuk isha!

Festa luksoze dhe kontroverse për 18-vjetorin e Lamine Yamal ka shkaktuar jehonë të madhe brenda dhe jashtë Barcelonës. Presidenti Joan Laporta ka reaguar publikisht, duke e mbrojtur ‘yllin’ e ri të skuadrës, ndërsa trajneri i ri Hansi Flick ka ndërhyrë me masa disiplinore që sinjalizojnë fillimin e një epoke të re në “Camp Nou”.

Laporta shprehu keqardhjen që nuk mori pjesë në festën private të Yamal-it, e cila thuhet se përfshinte edhe prani të stafit me aftësi të kufizuara fizike, një detaj që shkaktoi polemika në rrjete sociale.

“Ishte një festë private. Çfarëdo që bën Lamine tani do të jetë gjithmonë në qendër të vëmendjes. Më vjen keq që nuk shkova. Ishte një festë madhështore, e bukur, elegante. Ai festoi me miqtë e tij, me ‘yje’ të rrjeteve sociale, këngëtarë, influencues... dhe jam i lumtur që u argëtua,” tha Laporta.

Presidenti shtoi se Yamal është stërvitur në mënyrë shembullore pas festës dhe nuk ka asgjë për të kritikuar.

Megjithatë, trajneri Hansi Flick ka një qasje më të ashpër. Sipas raportimeve në Spanjë, gjermani ka vendosur rregulla të reja të rrepta për sjelljen e lojtarëve, duke kufizuar ndjeshëm aktivitetet sociale gjatë sezonit.

Flick kërkon përqendrim 100% në fushë dhe ka reduktuar në minimum pjesëmarrjen në festa apo evente jashtë klubit gjatë periudhës garuese. Ky vendim sinjalizon një kthesë në disiplinën e ekipit dhe një mesazh të qartë për të gjithë lojtarët: te Barcelona, përparësia është futbolli.

Festa e Yamalit mund të ketë qenë private, por jehona e saj ka krijuar dallgë të mëdha brenda klubit katalanas.