SYRI TV/ Gruaja 4 ditë e zhdukur, policia arreston burrin dhunues! Nisin kërkimet për 48 vjeçaren, dyshohet...
Një 58-vjecar është vënë në prangat e policisë pasi ushtronte dhunë sistematike ndaj bashkëshortes. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Bujan në Tropojë, ku policia ka arrestuar shtetasin Imer Shpata.
Ky i fundit, në mënyrë të vazhdueshme dhunonte bashkëshorten e tij, 48 vjeçe, e cila është larguar nga banesa që më datë 22 korrik 2025, ndërkohë që Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet intensive për gjetjen e 48 vjeçares.
Sipas hetimeve të thella të Policisë, dyshohet se pas këtij largimi mund të fshihet një ngjarje e rëndë kriminale. Në banesën e të arrestuarit u gjetën dhe u sekuestruan edhe dy armë zjarri automatike, të cilat do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme, për të përcaktuar nëse janë përdorur apo jo në ngjarje kriminale.
Në njoftimin e policisë, thuhet se Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Tropojë, pas informacionit të marrë nga të afërm të shtetases N. Shpata, se ajo ishte larguar nga banesa e bashkëshortit dhe kishin humbur kontaktet me të, organizuan menjëherë punën për lokalizimin dhe gjetjen e saj.
Nga hetimet rezulton se 48-vjeçarja dyshohet se është larguar si pasojë e dhunës sistematike nga bashkëshorti. Në këto kushte, u shoqërua dhe më pas u ndalua shtetasi Imer Shpata. Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes. Po ashtu, janë angazhuar shërbime të specializuara të Policisë për kërkimin e 48-vjeçares, me dyshimin se mund të jemi përballë një ngjarjeje të rëndë kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.