Allegri, pas fitores ndaj Liverpool-it: Leao po shkëlqen si sulmues i parë, ekipi po rritet shumë

Massimiliano Allegri ka folur me entuziazëm pas fitores 4-2 të Milanit ndaj Liverpool-it në miqësoren e zhvilluar në Hong Kong, ku kuqezinjtë triumfuan falë golave të Leaos, Loftus-Cheek dhe dopietës së Okafor.

Trajneri i Milanit vlerësoi paraqitjen e skuadrës dhe në veçanti eksperimentin e suksesshëm me Rafael Leaon në rolin e sulmuesit qendror:

“Leao bëri shumë mirë si qendërsulmues, ashtu si edhe e gjithë skuadra që po punon fort në këtë fazë përgatitore,” deklaroi Allegri.

Për teknikun nga Livorno, ndeshja në Hong Kong ishte një përvojë shumë pozitive:

“Ishte një mbrëmje e mrekullueshme. 50 mijë tifozë në stadium, një atmosferë fantastike dhe një impiant i jashtëzakonshëm. Jemi shumë të lumtur që patëm mundësinë të luanim këtu.”

I pyetur për atë që e ka kënaqur më shumë nga kjo periudhë përgatitore, Allegri theksoi mentalitetin dhe organizimin në lojë të ekipit:

“Gjëja më e bukur dhe më e rëndësishme nga këta 20 ditë të para është që skuadra ka një qasje shumë pozitive. Po e rrit ndjeshëm nivelin e durimit në fazën pa top dhe po reagon si grup në mbrojtje. Kur kemi topin, përpiqemi të ndërtojmë lojë, dhe kur nuk e kemi, të gjithë së bashku mbyllemi mirë. Kjo është baza për të ndërtuar një ekip të fortë.”

Në fund, fjalë të veçanta për Leao-n, që sipas Allegrit është gati të bëjë hapin e madh:

“Rafa është një lojtar i fortë, me cilësi të jashtëzakonshme. Po rritet dhe është në moshën e pjekurisë për të bërë një sezon të madh.”

Milani po lë përshtypje pozitive në këtë verë përgatitore dhe Allegri duket i kënaqur me drejtimin që po merr skuadra.