World Gym for Life Challenge”, ka një vend në podium për Shqipërinë
Në Lisbonë të Portugalisë u zhvillua edicioni i pestë i turneut ndërkombëtar të gjimnastikës, “World Gym for Life Challenge”, një event ku mori pjesë edhe ekipi kombëtar shqiptar i gjimnastikës.
Në përfundim të konkurrimit, ekipi shqiptar u rendit në vendin e tretë, duke marrë medaljen e bronztë. Një rezultat mjaft i mirë, dëshmi e ringjalljes së këtij sporti në vendin tonë, që po bën hapa të madh përpara.
Sipas drejtuesve të FSHGj-së, ky sukses historik nuk është i rastësishëm, por rezultat i një pune të palodhur dhe një përkushtimi të jashtëzakonshëm. Mbështetja dhe vizioni i presidentit të kësaj Federate, Leonard Lulaj, po jep frutet e tij.
“Këto rezultate të arenën ndërkombëtare janë të rëndësishme, pasi kemi arritur të rikthejmë gjimnastikën shqiptare në skenën ndërkombëtare dhe t’i japë dinjitet e krenari flamurit kuqezi”, tha presidenti Lulaj.
Delegacioni shqiptar, i cili mori pjesë për herë të parë në këtë aktivitet madhor të organizuar nga Federata Ndërkombëtare e Gjimnastikës, ku pjesëmarrëse ishte edhe sekretarja e përgjithshme e Federatës, znj. Eliriana Karaj.
Pjesëmarrja dhe vlerësimi i lartë që ekipi shqiptar mori nga publiku dhe juria ndërkombëtare, janë tregues i nivelit gjithnjë në rritje të gjimnastikës sonë dhe një hap i rëndësishëm drejt objektivave më të mëdha në të ardhmen.