Liverpool-i dhe Milan nderojnë Diogo Jotan me një homazh prekës në Hong Kong
Ndeshja miqësore mes Liverpoolit dhe Milanit, e zhvilluar në Hong Kong, u shndërrua në një moment të veçantë kujtimi për Diogo Jota-n, futbollistin portugez që humbi jetën tragjikisht së bashku me vëllanë e tij pak ditë më parë.
Para fillimit të sfidës, të cilën Milani e fitoi me rezultatin 4-2, në fushë u vendos një kurorë me lule në nder të ish-sulmuesit të Liverpoolit. Të dyja skuadrat luajtën me shiritin e zi në krah, si shenjë zie, ndërsa tifozët e "The Reds" organizuan një koreografi emocionuese për të kujtuar Jota-n.
Momenti më prekës erdhi në minutën e 20-të, kur i gjithë stadiumi shpërtheu në duartrokitje në kujtim të numrit 20 që Jota mbante gjatë kohës së tij te Liverpooli. Edhe në fushë nuk munguan gjestet prekëse: Rafael Leao, autor i golit të parë për Milanin, ia dedikoi golin mikut të ndjerë duke formuar numrin 20 me duart.
Një ndeshje e shënuar jo vetëm nga emocionet sportive, por edhe nga një ndjenjë e thellë respekti dhe solidariteti për një jetë të humbur shumë shpejt. Diogo Jota do të mbetet gjithmonë në zemrat e tifozëve dhe të futbollit.