SYRI TV/ 'Porto Palermo Festival' rikthen Olen Cesarin, 12 netë magjike në kalanë historike

 “Porto Palermo Festival”, nën drejtimin e violinistit Olen Cesari, rikthehet me 12 netë magjike në kalanë historike, duke sjellë artistë të njohur në skenën e improvizuar. Muzika klasike, etno dhe bashkëkohore ndërthuren në këtë festë unike buzë detit Jon.

Kalaja e Porto Palermos është kthyer sërish në një skenë magjike nën tingujt e muzikës, me rikthimin e “Porto Palermo Festival”, ideuar dhe kuruar nga violinisti virtuoz Olen Cesari. Edicioni i këtij viti sjell 12 netë të mbushura me muzikë, performanca të rralla dhe artistë të zgjedhur, në një nga vendet më piktoreske të rivierës shqiptare, por dhe përtej saj.

“Festivali i këtij viti ka një qëllim të qartë, të sjellë artistët më të mirë në një nga pikat më të bukura të Shqipërisë dhe ta kthejë këtë hapësirë në një pikëtakim të kulturave dhe muzikës,” u shpreh Çesari.

Në skenën mes mureve shekullore të kalasë  festivali do të marrë një tjetër ngjyrë, me çeljen që ka zgjedhur për këtë 5 vjetor themeluesi i festivalit. Olen Çezari do t’u ofrojë një ambient plot emocione shijuesve të muzikës. Pas tij përgjatë ditëve do të performojnë emra të njohur si  Ledina Çelo, Genc Tukiçi, Dëshira Ahmeti, Anamaria Beqaj, Dren Abazi, Aurela Gaçe, Marsela Cibukaj, Eda Zari, Ardian Trebicka, Kastriot Tusha, Pasha Deejay, si dhe artistë ndërkombëtarë që sjellin ngjyra të ndryshme muzikore nga Europa dhe më gjerë. Netët e festivalit përfshijnë gjithashtu bashkëpunime të veçanta dhe improvizime që i japin festivalit një shpirt të gjallë e të papërsëritshëm. Nën qiellin e hapur dhe përballë detit, publiku përjeton emocione unike përmes një mozaiku muzikor që bashkon klasiken, etnon, jazz-in dhe muzikën moderne nga data 31 korrik deri më datë 17 gusht, duke dëshmuar se arti ka fuqinë të rilindë edhe hapësira historike.