SYRI TV/ Rijetëzimi pa projekt i Pallatit të Kongreseve, fati i godinës 40-vjeçare në duart e KSHI

Pallati i Kongreseve kalon nga Bashkia Tiranë te Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, me shumicë votash në Këshillin Bashkiak, duke i hapur rrugë transferimit të tij te Korporata Shqiptare e Investimeve.
Kjo e fundit pretendon se ka një projekt për “rijetëzimin” e godinës, por sipas BIRN, deri më tani nuk është publikuar asnjë plan konkret. Përvoja me projekte të ngjashme tregon se rikonstruksioni i ndërtesave publike shpesh shoqërohet me ndërtime private, kryesisht kulla një skenar që, sipas të gjitha gjasave, nuk do ta anashkalojë as Pallatin e Kongreseve.

Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi të enjten vendimin për kalimin e Pallatit të Kongreseve në pronësi të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Godina 40-vjeçare pritet t’i kalojë Korporatës Shqiptare të Investimeve, e cila, sipas burimeve zyrtare, ka një projekt për “rijetëzimin” e saj.
Vendimi u mor me shumicën e votave të anëtarëve socialistë, ndërsa opozita e kundërshtoi, duke aluduar se qëllimi nuk është thjesht rikonstruksioni i godinës, por shembja ose tjetërsimi i pronave përreth, për t’u përdorur më pas për ndërtimin e kullave të reja në qytet.

Relacioni shoqërues i vendimit i referohet një vendimi të mëparshëm të qeverisë për kriteret dhe procedurat e dhënies së pronës shtetërore me qira, enfiteozë, leasing, shitje, përdorim si kolateral apo forma të tjera nga Korporata Shqiptare e Investimeve. Kjo e fundit i ka paraprirë procesit, pasi rreth katër muaj më parë ka publikuar në faqen zyrtare një material mbi rikonstruksionin e Pallatit të Kongreseve njoftim që më pas, në mënyrë të papritur, është hequr nga faqja.

Në njoftimin e mëparshëm, Korporata theksonte përfitimet që do të sillte rikonstruksioni i godinës. Megjithatë, në fund të materialit gjendej një fjali sipas së cilës “partneri privat do të përfitojë pjesën përkatëse të zhvillimit” një formulim pas të cilit, sipas kritikëve, fshihen arsyet e vërteta të këtij vendimi: ndërtimi i kullave në një nga zonat më të lakmuara të Tiranës.

Qëllimi zyrtar i projektit është “përmirësimi i cilësisë së infrastrukturës përmes rikonstruksionit dhe modernizimit të Pallatit të Kongreseve, duke e shndërruar atë në një strukturë multifunksionale që përmbush standardet bashkëkohore për konferenca, evente kulturore dhe tubime publike.”
Në dokument thuhet gjithashtu se “partneri privat përfiton pjesën përkatëse të zhvillimit sipas marrëveshjes.”

Rrjeti investigativ BIRN shkruan se Korporata nuk ka publikuar një projekt konkret apo pamje vizuale që tregon se si do të transformohet godina që ndodhet në bulevardin kryesor të kryeqytetit. Megjithatë, projektet e tjera të ngjashme të “rijetëzimit” sugjerojnë se rikonstruksioni i godinave publike shpesh shoqërohet me ndërtime private – kryesisht kulla – në pronat publike përreth tyre.